Rusia po përgatit kundërmasa në rast se BE vendos të vazhdojë me sekuestrimin përfundimtar të aseteve ruse, paralajmëroi zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, gjatë një konference për shtyp.

“Sigurisht, çdo veprim i paligjshëm në lidhje me rezervat dhe asetet tona shtetërore nuk do të mbetet pa përgjigjen më të ashpër. Do të ketë një reagim të tillë si nga ana jonë dhe bashkësia ndërkombëtare nuk do të mbetet duarkryq”, tha Zakharova. “Përgatitja e një pakete kundërmasash në rast të një vjedhjeje të tillë dhe sekuestrimi të aseteve ruse është tashmë në proces”, shtoi ajo.

Sipas saj, në BE përdoren pothuajse të gjitha mjetet, nga kërcënimet dhe shantazhet e hapura deri te gënjeshtrat.

“Ky është një rast ku kuptimi i dështimit të një strategjie fillimisht të gabuar, të cilën blloku rusofobik i imponon të gjithë BE-së, arrin kufijtë e paranojës politike. Dëshira për t’i shkaktuar dëm Rusisë i lë në hije gjithçka”, u shpreh Zakharova.

“Askush në BE nuk e fsheh se nuk ka arsye legjitime për këto veprime. Kjo është vjedhje, e cila nuk mund të karakterizohet në asnjë mënyrë tjetër”, përfundoi ajo.

Top Channel