Autoritetet zgjedhore ruse raportojnë se infrastruktura teknologjike e përdorur për zhvillimin e zgjedhjeve parlamentare është vënë në shënjestër të një numri të madh sulmesh kibernetike që prej nisjes së votimit të premten.

Kryetarja e Komisionit Zgjedhor të Rusisë, Ella Pamfilova, deklaroi se janë evidentuar mbi një mijë sulme të tipit DDoS ndaj sistemeve të lidhura me procesin zgjedhor.

Ky lloj sulmi synon të bllokojë ose ngadalësojë një shërbim online duke e përmbytur atë me një volum shumë të madh kërkesash në të njëjtën kohë.

Sipas Pamfilovës, pas sulmeve qëndrojnë grupe të organizuara dhe me aftësi të avancuara teknike, të cilat, sipas saj, kanë përdorur edhe mjete të bazuara në inteligjencën artificiale. Ajo pretendoi se shumica e sulmeve kishin origjinë jashtë territorit rus.

Zyrtarja ruse foli gjithashtu për tentativa të posaçme kundër infrastrukturës së telekomunikacionit të vendit, duke pretenduar se në disa prej tyre ka elemente që tregojnë për përfshirje të Ukrainës. Megjithatë, këto pretendime të autoriteteve ruse nuk janë konfirmuar nga burime të pavarura.

Problemet ishin raportuar edhe të shtunën, gjatë ditës së dytë të votimit. Komisioni Zgjedhor bëri të ditur atëherë se platforma e votimit elektronik ishte përballur me atë që e cilësoi si një sulm kibernetik me intensitet të lartë, i cili kishte vazhduar përgjatë ditës.

Krahas votimit tradicional në qendrat zgjedhore, Rusia po përdor edhe sistemin elektronik të votimit në rreth 30 zona të vendit.