Moska ka reaguar me tone të forta pas sulmit ajror të Izraelit ndaj Iranit, duke e cilësuar atë një akt agresioni të paprovokuar dhe një shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare.
Në një deklaratë zyrtare të publikuar të premten, Ministria e Jashtme ruse dënoi ashpër goditjet ajrore që kishin në shënjestër objektiva ushtarake dhe bërthamore brenda territorit iranian, duke theksuar se këto veprime përbëjnë një shkelje të drejtpërdrejtë të Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe të parimeve të sovranitetit të shteteve.
“Sulmet ushtarake të paprovokuara kundër një shteti sovran, anëtar i OKB-së, qytetarëve të tij, qyteteve paqësore dhe infrastrukturës së energjisë bërthamore janë kategorikisht të papranueshme,” thuhet në reagimin e Ministrisë. Rusia, e cila ka ndërtuar një partneritet të fortë strategjik me Iranin gjatë dekadës së fundit, ka qenë gjithmonë kundërshtare e ndërhyrjeve ushtarake të jashtme dhe ka akuzuar vazhdimisht Perëndimin dhe aleatët e tij për destabilizimin e Lindjes së Mesme.
Kjo deklaratë vjen në një moment të ngarkuar tensioni, ku Izraeli ka ndërmarrë një ofensivë të paprecedentë në territorin iranian, duke goditur sipas raportimeve dhjetëra objektiva strategjike të lidhura me kapacitetet raketore dhe bërthamore të Teheranit.
Reagimi i Kremlinit i shtohet korit të paralajmërimeve për rrezikun e përshkallëzimit të konfliktit në një përplasje rajonale me pasoja të paparashikueshme.
