Viktor Hordiyenko ishte dëshmitar i djegies rishtazi të punës së tij të palodhshme dyvjeçare, kur forcat ruse sulmuan fushat e tij me bomba ndezëse.
Kjo ishte një tjetër goditje e madhe për Hordiyenkon, një bujk në rajonin ukrainas të Hersonit, i cili vitin e kaluar humbi babanë e tij në një sulm me dron rus – dhe këtë vit ka përjetuar atë që ai e përshkruan si një fushatë të zgjeruar ruse për ta goditur sektorin jetik të bujqësisë në Ukrainë.
“Njëqind në ditë. Ky nuk është ekzagjerim. Njëqind dronë në ditë. Granatime çdo ditë. Po na gjuajnë. Ata dogjën 2.000 hektarë grurë timin brenda vetëm një nate”, i tha ai Shërbimit ukrainas të Radios Evropa e Lirë.
“Gruri dimëror, të gjitha të korrat që shihni, janë djegur”, tha ai, duke shtuar se sulmet me dronë tani – në kohën e korrjes – janë trefishuar krahasuar me disa muaj më parë, përcjell A2.
“Terror në rritje”
Administrata ushtarake rajonale tha se në qershor, forcat ruse të vendosura në bregun përballë të lumit Dnjepër kishin hedhur rreth 32.000 predha. Kjo ishte një rritje prej 26 për qind krahasuar me marsin dhe një rritje prej 13 për qind krahasuar me shifrat e prillit dhe majit.
Ajo gjithashtu vuri në dukje një rritje të sulmeve me dronë, me një mesatare prej 5.500 lëshimesh në javë, krahasuar me 2.500 vitin e kaluar. Në qershor pati 28 viktima civile, një rritje prej 78 për qind krahasuar me marsin.
“Situata e sigurisë në rajonin e Hersonit vazhdon të përkeqësohet”, tha Oleksandr Tolonnikov, zëvendësdrejtues i administratës. “Rusia nuk po e ul intensitetin e sulmeve, por përkundrazi, po rrit sistematikisht terrorin kundër banorëve civilë”.
Rritja e sulmeve është goditja më e fundit ndaj sektorit bujqësor që tashmë po përballet me vështirësi pas gati pesë vjetësh lufte të gjithanshme.
Ferma e Hordiyenkos ndodhet në qarkun Berislav, në bregun e djathtë të Dnjeprit të kontrolluar nga Ukraina, i cili praktikisht përbën vijën e frontit në rajonin e Hersonit ndërsa rrjedh drejt jugperëndimit në Detin e Zi.
Ashtu si qyteti i Hersonit, Berislavi dhe qarku përreth u pushtuan nga forcat ruse në fillim të pushtimit të plotë në shkurt 2022, por u çliruan gjatë një kundërofensive ukrainase në vjeshtën e atij viti.
Babai i Hordiyenkos, Oleksandr, kishte folur me Radion Evropa e Lirë në maj të vitit të kaluar për kërcënimin nga dronët rusë. Shtëpia e tij u bombardua në korrik dhe më pas ai u vra në një sulm në shtator.
Së bashku, babë e bir kishin punuar për të pastruar tokën e tyre nga minat pas tërheqjes së forcave ruse.
Lufta e fermerëve ukrainas për të mbijetuar
“Kaluam dy vjet duke e mbjellur këtë tokë, dy vjet duke investuar, dhe nuk morëm asgjë nga kjo tokë. Vetëm që ta kuptoni, nuk është një vit punë, por dy vjet punë që ata m’i dogjën brenda natës”, tha Hordiyenko, i cili hyn në fushat e tij pranë vijës së frontit i pajisur me helmetë dhe jelek antiplumb, duke mbajtur edhe armë.
Katastrofë ekonomike
Në javët e fundit ka ndodhur gjithashtu një taktikë e re: sulme ndaj shtëpive të punëtorëve të fermave, shtoi ai.
“Ata kanë shkatërruar shtëpitë e tetë punëtorëve të mi”, tha ai. “Ata hyjnë në fshatra me mjete ndezëse, i hedhin nga të gjitha anët… duke e ditur se shërbimet e emergjencës nuk do të vijnë për shkak të granatimeve. Dhe, nëse ne shkojmë për ta shuar zjarrin, ata na sulmojnë”.
Bujqësia është jetike për ekonominë e Ukrainës, dhe gruri është produkti kryesor i saj. E njohur si “shporta e bukës së Evropës”, Ukraina ka 42 milionë hektarë tokë bujqësore.
Sektori u godit rëndë nga pushtimi i plotë rus në vitin 2022, pasi sulmet ndaj terminaleve të eksportit, porteve dhe transportit detar penguan eksportet e grurit.
Ai u rikuperua pjesërisht pasi u hap një korridor gruri në Detin e Zi i ndërmjetësuar nga OKB-ja, por sulmet e vazhdueshme kanë shkatërruar pajisje bujqësore, kanë lënë municione të pashpërthyera në tokat bujqësore dhe kanë penguar transportin e brendshëm dhe infrastrukturën energjetike.
Lufta ka shkaktuar gjithashtu mungesë fuqie punëtore.
Hordiyenko thotë se ka humbur kultura me vlerë pothuajse 3 milionë dollarë dhe se fermat fqinje kanë pësuar të njëjtat sulme.
Një subvencion shtetëror për humbjet bujqësore të shkaktuara nga lufta është në dispozicion, por ai kufizohet në 2.000 hektarë dhe paguhet vetëm 100 dollarë për hektar.
“Jemi në borxhe. Miliona dollarë borxhe. Nuk e di çfarë të bëj”, tha Hordiyenko. “Buka po digjet.”/ REL
