Fermerët grekë kanë njoftuar se do të bllokojnë përsëri rrugët kryesore të vendit si pjesë e protestës së tyre të vazhdueshme. Të martën ata deklaruan se do të bllokojnë zyrat doganore në kufirin grek me Bullgarinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ky bllokim pritet të zgjasë për të paktën 24 orë.

Në orën 12:00 (me orën greke), ata kanë njoftuar gjithashtu bllokimin e kryqëzimit të Bara Siatista në autostradën Egnatia, një nga rrugët kryesore që lidh Greqinë me pjesë të tjera të Ballkanit.

Fermerët kanë refuzuar një takim të planifikuar me kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis në rezidencën Maximos, duke e quajtur të pasuksesshëm përpjekjen për të arritur një marrëveshje. Protestës i janë bashkuar edhe bletarë, si dhe anëtarë të Shoqatës së Bujqësisë dhe Blegtorisë së Eordeisë Lindore dhe Pellgut Jugor të Vegoritidës, si dhe të Shoqatës Bujqësore të Bashkisë së Amyntaion.

Kjo protestë është një reagim ndaj politikave të qeverisë greke në fushën e bujqësisë, ku fermerët kërkojnë mbështetje më të madhe për përballimin e krizës ekonomike dhe të kushteve të vështira të punës në sektorin e bujqësisë.