Një incident shqetësues në Agia Pelagia të Kretës ka vënë në lëvizje autoritetet greke, të cilat po kërkojnë një turist të huaj, rreth 60-65 vjeç.

Ngjarja ndodhi më 31 korrik dhe është regjistruar nga kamerat e sigurisë së një biznesi turistik. Sipas mediave greke, në ambient ndodhej edhe një vajzë 10-vjeçare, e cila ishte ulur dhe po lexonte një libër.

Burri iu afrua gruas që punonte tek biznesi në fjalë dhe duke treguar nga vajza, pyeti “sa?”, ndërsa shoqëroi fjalët e tij me gjeste që, sipas dëshmitarëve, nuk linin dyshim për natyrën e propozimit, raporton korrespondenti i Top Channel Aleksandër Marku.

Kur gruaja reagoi e indinjuar dhe e pyeti se çfarë po thoshte, ai vijoi me një propozim të ngjashëm edhe ndaj saj. Pronari i biznesit deklaroi për televizionin privat MEGA se burri kishte pyetur se sa para duhej të paguante “për të blerë vajzën e vogël”.

Gruaja e paralajmëroi se do të telefononte policinë dhe turisti u largua menjëherë. Kur policët shkuan në hotelin ku dyshohej se ai qëndronte, personi në fjalë ishte larguar.

Sipas burimeve policore, ai nuk pati kontakt apo komunikim të drejtpërdrejtë me vajzën 10-vjeçare. Megjithatë, policia vazhdon përpjekjet për identifikimin dhe gjetjen e tij, pasi ekziston shqetësimi se mund të shfaqë sjellje të ngjashme edhe ndaj fëmijëve të tjerë.

Mediat greke japin informacione të ndryshme lidhur me qëndrimin e familjes për ndjekjen ligjore të çështjes.