Presidenti Donald Trump dënoi të shtënat vdekjeprurëse që ndodhën jashtë Muzeut Hebraik në Washington, ku dy punonjës të Ambasadës së Izraelit u vranë dhe tre të tjerë u plagosën të mërkurën në mbrëmje.

Presidenti, i cili ndodhej në Shtëpinë e Bardhë për një takim me Presidentin e Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa, tha se vrasjet ndodhën për shkak të urrejtjes dhe radikalizmit.

“Këto vrasje të tmerrshme në DC, që duket qartë se janë bazuar në antisemitizëm, duhet të marrin fund, tani! Urrejtja dhe radikalizmi nuk kanë vend në SHBA,” shkroi Trump në rrjetin social Truth Social.

“Ngushëllime për familjet e viktimave. Sa e trishtueshme që ndodhin ende gjëra të tilla! Zoti ju bekoftë të gjithëve!” shtoi ai.

Dy punonjësit e ambasadës, një burrë dhe një grua, po largoheshin nga një aktivitet i organizuar nga Komiteti Hebraik Amerikan në muze, kur sulmuesi hapi zjarr rreth orës 9 të mbrëmjes, sipas policisë.

Të shtënat ndodhën përpara muzeut në adresën 575 3rd Street NW, pranë zyrës lokale të FBI-së dhe Prokurorisë Amerikane.

Policia e identifikoi autorin si Elias Rodriguez, 31 vjeç, nga Çikago.

Shefja e Policisë së DC-së, Pamela Smith, tha se përpara të shtënave, Rodriguez ishte parë duke ecur para e mbrapa jashtë muzeut. Ai iu afrua një grupi me katër persona, nxori një armë dhe hapi zjarr, duke qëlluar çiftin izraelit.

Rodriguez më pas hyri në muze dhe u ndalua nga sigurimi. Ai pranoi se kishte qëlluar dhe, gjatë arrestimit, bërtiti “Liri, liri për Palestinën,” sipas autoriteteve.

Ambasadori i Izraelit në SHBA, Yechiel Leiter, tha se viktimat ishin të dashur dhe kishin planifikuar të fejoheshin në Izrael javën e ardhshme.

Drejtori i Komitetit Hebraik Amerikan, Ted Deutch, i cili organizoi aktivitetin atë natë, shprehu dhimbje për humbjen e dy punonjësve të ambasadës.

“Jemi të shkatërruar nga kjo dhunë e papërshkrueshme. Dy miq të dashur dhe bashkëpunëtorë nga Ambasada e Izraelit u qëlluan për vdekje sapo dolën nga aktiviteti. Kjo është një ngjarje tronditëse dhe komuniteti ynë është i pikëlluar.”

“Në këtë moment të dhimbshëm, jemi pranë familjeve të viktimave dhe të gjithë Izraelit. Kujtimi i tyre qoftë i bekuar.”

“Ndërsa presim përfundimin e hetimeve, dhe ftojmë të gjithë miqtë tanë të bëjnë të njëjtën gjë, duket qartë se kjo ishte një sulm i motivuar nga urrejtja kundër popullit hebre dhe shtetit të Izraelit. Kjo urrejtje dhe dhunë pa kuptim duhet të ndalet.”