Për tre vjet, hetuesit elitarë gjermanë janë përpjekur të zbardhin sabotimin e tubacionit të gazit Nord Stream, një akt që ka shkaktuar tensione të forta ndërkombëtare. Shpërthimi i tubacioneve në shtator të vitit 2022 çoi në derdhjen e mijëra tonëve metani në Detin Baltik, duke krijuar një nga ndotjet më të mëdha të shkaktuar nga njeriu në histori. Hetimi ka nxjerrë dyshime për përgjegjësinë e Ukrainës, ndërsa disa akuzojnë njësi speciale ushtarake ukrainase për kryerjen e aktit, nën komandën e Valery Zaluzhny. Ai përflitet gjithnjë e më shumë si pasardhës i mundshëm i Volodymyr Zelenskyt për postin e presidentit të Ukrainës, pas përfundimit të luftës. Ndaj dhe kjo pistë duket se po shqyrtohet me kujdes, por edhe me “ankth” nga liderët perëndimorë.

Refuzimi i ekstradimit

Një nga të dyshuarit, i cili ka lidhje me operacionin, u arrestua në Itali. Polonia ka refuzuar kërkesën për ekstradim, duke e trajtuar atë si një “hero” që ka ndihmuar në ndalimin e financimit të Rusisë për luftën. Kryeministri polak Donald Tusk ka ironizuar hetimin, duke deklaruar se problemi nuk ishte shkatërrimi i tubacionit, por ndërtimi i tij. Në të njëjtën kohë, në Gjermani, partia opozitare AfD po e përdor këtë ngjarje për të rritur kërkesat për ndalimin e ndihmës për Ukrainën.

Identifikimi i komandantit kryesorë

Gjatë hetimeve, autoritetet gjermane zbuluan se komandanti i operacionit ishte një ish-anëtar i shërbimit të sigurisë ukrainase SBU, Serhiy K., i cili është identifikuar dhe arrestuar në Itali. Hetuesit përdorën teknologjinë për të gjurmuar të dyshuarit, duke përfshirë përdorimin e njohjes së fytyrës për të identifikuar një nga zhytësit. Serhiy kishte një identitet të rremë dhe nuk kishte gjurmë të dukshme në bazat e të dhënave evropiane. Ai u arrestua gjatë një qëndrimi në bregdetin italian.

Pasojat diplomatike

Arrestimi i Serhiy K. dhe mundësia e ekstradimit të tij në Gjermani mund të përbëjë një goditje për marrëdhëniet mes Berlinit dhe Kievit. Hetimi mund të konfirmojë dyshimet se Ukraina ka luajtur një rol të drejtpërdrejtë në sabotimin, gjë që do të minonte mbështetjen për vendin në Evropë. Për më tepër, ky zhvillim mund të shtojë tensionet dhe të sjellë pasoja të forta politike për kancelarin gjerman, i cili tashmë është nën presion nga opozitën për të ndryshuar politikën ndaj Ukrainës.

“Pasardhësi” i Zelensky-t

Valery Zaluzhny është një figurë kyçe në Ushtrinë e Ukrainës dhe një nga komandantët më të rëndësishëm të forcave të armatosura gjatë luftës me Rusinë. Ai është bërë një simbol i rezistencës dhe menaxhimit të suksesshëm të operacioneve ushtarake në terren, duke fituar lavdërata ndërkombëtare për udhëheqjen e tij. Pas shpërthimit të luftës në vitin 2022, Perëndimi ka filluar ta trajtojë Zaluzhny-n si një pasardhës të denjë të Volodymyr Zelenskyt për postin e presidentit të Ukrainës. I njohur për profesionalizmin dhe qetësinë e tij në situata të krizës, ai është konsideruar një lider i besueshëm që mund të udhëheqë Ukrainën pas luftës, duke siguruar një udhëheqje të qëndrueshme dhe të fokusuar në integrimin e mëtejshëm të Ukrainës në strukturat perëndimore.