Por analistët thonë se vendi në fakt ndodhet në buzë të greminës


Greqia po ecën drejt  “stabilitetit”. Të paktën kështu ka deklaruar së fundi Kryeministri i vendit, Samaras, pas një takimi që ka pasur me shefin e financës së vendeve të Eurozonës, Jean-Claude Juncker.


Samaras deklaroi gjithashtu se Greqia do të finalizojë një paketë shkurtimesh financiare dhe kursimesh të mëtejshme me vlerë 11.5 miliardë eurosh gjatë javëve të ardhshme. Kryeministri grek kërkon që të zgjasë edhe për dy vjet, ndërkohë, zbatimin e këtyre masave dhe arritjen e shumës së kërkuar të kursimeve të premtuara në këmbim të paketës së ndihmës financiare nga Bashkimi Europian, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Qendrore Europiane. Por shefi i eurozonës, Juncker, deklaroi se një vendim në lidhje me një shtyrje të mundshme afati të kërkuar nga grekët do të varet shumë nga raporti që do të bëjnë muajin e ardhshëm huadhënësit më të mëdhenj të Greqisë, institucionet e  sipërpërmendura. “Unë duhet që të nënvizoj se kjo do të varet nga rezultatet që do të vlerësohen nga trojka dhe misioni i saj dhe ne na duhet që më pas të diskutojmë edhe kërkesën e Greqisë për një zgjatje të afatit të realizimit të premtimeve”, ka deklaruar shefi i Eurozonës. Sipas tij, ky ishte edhe shansi i fundit që i jepej Greqisë për të shmangur falimentimin, por tha se Kryeministri grek ishte i impenjuar dhe se po merret, sipas tij, shumë seriozisht me të ardhmen e  vendit.


Huadhënësit më të mëdhenj ndërkombëtarë të Greqisë që quhen trojka duke qenë se përfaqësojnë tre institucionet e mëdha ndërkombëtare që i kanë përgatitur Greqisë paketën e ndihmës financiare, do të rikthehet në Greqi muajin e ardhshëm për të parë nëse vendi i ka plotësuar deri më tani objektivat dhe kushtet e vëna, apo jo. Ky është një vlerësim që bëhet shumë shpesh që pa lëvrimit të kësteve të para ta paketës së dytë të shpëtimit fianciar që i është dhënë Greqisë këtë vit.


Kryeministri i Greqisë tha se i kishte thënë Junsker se Greqia e kishte seriozisht këtë herë me masat për reduktimin e evazioneve fiskale dhe të taksave dhe se ishte shumë serioze dhe në kryerjen e të gjitha reformave të kërkuara për të arritur në kohën e duhur kursimet e duhura. Më pas tha edhe se të tria partitë që ishin në koalicion qeverisës ishin të impenjuara për të realizuar të gjitha kushtet e marrëveshjes. Ai vijoi më tej duke thënë se vendi i tij ishte: duke ndërruar faqe politikisht, ekonomikisht dhe nga pikëpamja sociale.


Në vijim të kësaj jave, Samaras do të takohet edhe me Kancelaren gjermane, Merkel, dhe Presidentin francez, Hollande, që janë dy aktorë shumë të rëndësishëm të koordinimit të masave të krizës financiare. Ndërkohë, edhe pse Kryeministri grek u shpreh shumë entuziast ka zëra që thonë se Greqia ndodhet me të vërtetë në një situatë të rëndë dhe se parashikohen masa të reja të shkurtimit të shpenzimeve çka do ta rëndojë më shumë situatën sociale.