Kryeministri i Greqisë jep alarmin, ndërsa bisedimet besohet se kanë ngecur


Kryeministri i Greqisë, Antonis Samaras, i tha një gazete gjermane se vendi i tij nuk mund të menaxhojë situatën përtej nëntorit, në rast se transhi tjetër i ndihmës ndërkombëtare nuk do të jepet dhe sugjeroi se Banka Qendrore Europiane mund të ndihmojë duke ulur interesat mbi borxhet greke që ka në portofolin e saj.


“Çelësi është likuiditeti. Kjo është arsyeja se pse transhi i ardhshëm i kredive është kaq i rëndësishëm për ne”, i tha Samaras të përditshmes së biznesit “Handelsblatt”. I pyetur se edhe për sa kohë Greqia mund t’ia dalë pa këtë paketë ndihmash, ai u përgjigj: “Deri në fund të nëntorit. Pas kësaj, arka jonë mbërrin në zero”.


Banka Qendrore Europiane mund të ndihmojë duke pranuar interesa më të ulëta mbi borxhet e Greqisë që ajo ka blerë më parë, ose “mund të miratojë riblerjen e këtyre bondeve kur ato të maturohen”, tha ai.


“Unë gjithashtu mund të imagjinoj rikapitalizimin e bankave të Greqisë sipas modelit që po diskutohet për Spanjën, masë që ndoshta nuk do të konsiderohet si borxh shtetëror, por mund të zbatohet drejtpërsëdrejti përmes Mekanizmit Europian të Stabilitetit, EMS. Kjo mund të sjellë lehtësim domethënës”, tha Samaras.


Greqia është aktualisht në bisedime për transhin e radhës nga paketa e dytë e ndihmës, e cila do t’i japë rreth 30 miliardë euro për të paguar kreditorët ekzistues, bondet e të cilëve po i afrohen datës së maturimit. Bisedimet kanë ngecur për shumë arsye. Ekonomia e Greqisë vijon të tkurret, gjë që e bën më të rëndë ngarkesën e borxheve ekzistuese dhe shkurtimi i mëtejshëm i shpenzimeve të qeverisë greke nuk ndihmon, pasi konvertohet menjëherë në rënie ekonomike të mëtejshme. Fondi Monetar Ndërkombëtar raportohet se u ka propozuar europianëve të kalojnë në një fazë tjetër faljesh borxhesh, gjë që refuzohet nga këta të fundit.