Udhëheqësit e BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor do të takohen në Bruksel më 25 nëntor në Samitin BE-Ballkani Perëndimor.
Sipas njoftimit për shtyp, BE do të përfaqësohet nga Presidenti i Këshillit Evropian António Costa dhe Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
“E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian. Anëtarësimi i tyre është përparësia jonë, ambicia jonë e përbashkët dhe një investim thelbësor gjeopolitik në këto kohë të trazuara. BE-ja është dhe do të mbetet partneri më i besueshëm i rajonit”, tha Costa.
Samiti riafirmon angazhimin e BE-së për anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor dhe nxitjen e vendeve kandidate për përmbushjen e reformave për të përparuar në rrugën e integrimit.
Udhëheqësit do të vlerësojnë gjithashtu progresin në integrimin gradual të Ballkanit Perëndimor me BE-në, veçanërisht përmes Planit të Rritjes, si dhe do të diskutojnë mënyrat për ta zhvilluar më tej.
Së fundi, ata do të shqyrtojnë sfidat e përbashkëta dhe mënyrat për të forcuar sigurinë dhe qëndrueshmërinë në raport me kontekstin gjeopolitik.
Samiti është pjesë e zbatimit të Axhendës Strategjike të Këshillit Evropian për periudhën 2024–2029. Takimi i fundit mes BE dhe vendeve të rajonit ishte në fillim të qershorit në Tivat të Malit të Zi, ku mori pjesë edhe kryeministri Rama.
