Polemikat mbi njohjen ndërkombëtare të shtetit palestinez janë zhvendosur sot në selinë e Kombeve të Bashkuara, ku do të zhvillohet seanca kryesore mbi zgjidhjen me dy shtete, në një samit të kryesuar nga Franca dhe Arabia Saudite.

Pranë Asamblesë së Përgjithshme, priten njoftime zyrtare nga disa vende të tjera që do t’i bashkohen valës së njohjeve të shpallura gjatë fundjavës, përfshirë Francën, Belgjikën, Maltën, Andorrën, Luksemburgun dhe San Marinon.

Paralelisht, Britania e Madhe, Australia, Kanadaja dhe Portugalia e njohën zyrtarisht shtetin palestinez të dielën, duke rritur presionin mbi vendet që ende nuk e kanë ndërmarrë këtë hap, si SHBA, Izraeli, Gjermania dhe Italia.

Ndërkohë, Izraeli e ka cilësuar konferencën në Nju Jork si një “cirk diplomatik” dhe ka paralajmëruar reagime ndaj zhvillimeve të fundit. Presidenti palestinez Mahmoud Abbas, i cili do të marrë pjesë përmes videolidhjes pasi i është ndaluar hyrja në SHBA, e quajti këtë moment “një hap drejt një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme”.

Sytë janë të kthyer edhe nga Zelanda e Re, e cila po shqyrton zyrtarisht mundësinë për të njohur Palestinën, por nuk ka marrë ende një vendim përfundimtar.