Një 28-vjeçare është vënë në pranga në Selanik, pasi dyshohet se ka marrë një shumë të konsiderueshme parash nga banesa ku ishte e punësuar si sanitare.
Rasti u denoncua në polici nga pronarja 51-vjeçare e shtëpisë. Sipas dëshmisë së saj, nga një vend ku kishte fshehur kursimet ishin zhdukur rreth 50 mijë euro, si dhe një shumë tjetër parash në paund.
Hetimet e policisë çuan te 28-vjeçarja me origjinë nga Gjeorgjia, e cila punonte në banesën e gruas. Ajo u arrestua mëngjesin e së hënës si e dyshuar për vjedhjen.
Autoritetet ushtruan më pas kontroll edhe në banesën e të resë, në prani të një përfaqësuesi të autoritetit gjyqësor. Megjithatë, gjatë kontrollit nuk u gjetën paratë e denoncuara si të vjedhura.
Policia po vijon hetimet për të përcaktuar rrethanat e plota të ngjarjes dhe për të zbuluar se ku mund të ketë përfunduar shuma e parave.
Ndaj 28-vjeçares është ngritur një çështje penale dhe ajo pritet të dalë përpara prokurorit kompetent.
