Ish-presidenti francez Nicolas Sarkozy thotë se nuk ka frikë të shkojë në burg ndërsa përgatitet të nisë një dënim me pesë vjet heqje lirie.
Sarkozy, i cili pritet të burgoset në burgun Sante të Parisit të martën, i tha gazetës franceze “La Tribune Dimanche” se i ka bërë tashmë gati valixhet dhe ndihet i qetë. Ish-udhëheqësi po burgoset pasi u dënua për përpjekje për të mbledhur fonde elektorale nga Libia në vitin 2007.
“Nuk kam frikë nga burgu. Do ta mbaj kokën lart, edhe përpara portave të Sante-s,” tha Sarkozy, duke shtuar se nuk do të kërkojë asnjë privilegj të veçantë.
Sipas gazetës, ish-presidenti do të qëndrojë në katin e sipërm të pavijonit të izolimit, i ndarë nga të burgosurit e tjerë, dhe do të shoqërohet gjatë gjithë kohës nga një roje burgu. Ai do të lejohet të bëjë dy vizita në ditë në njërën nga tre palestrat dhe oborret e ushtrimeve të burgut. Ndërkohë, ai ka shtuar se planifikon të shkruajë libër brenda qelisë. Nga ana tjetër, bashkëshortja e tij, supermodelja italiane Carla Bruni, raportohet se do ta vizitojë çdo ditë gjatë pesë viteve të dënimit.
Sarkozy, i cili drejtoi Francën nga viti 2007 deri në 2012, u shpall fajtor për konspiracion kriminal lidhur me përpjekjet e bashkëpunëtorëve të tij të afërt për të siguruar fonde për fushatën e tij të suksesshme presidenciale të vitit 2007 nga Libia gjatë sundimit të diktatorit të ndjerë Muammar Gaddafi.
Ish-udhëheqësi ka deklaruar gjithmonë se është i pafajshëm dhe e ka apeluar vendimin e gjykatës. Është hera e parë që një ish-kreu i shtetit francez shpallet fajtor për përpjekje për të përdorur para të huaja në këtë mënyrë. Sarkozy, i cili u zgjodh në vitin 2007 por humbi përpjekjen për rizgjedhje në 2012, mohoi çdo faj gjatë një gjyqi tre-mujor më herët këtë vit, ku u përfshinë gjithashtu 11 bashkë-të pandehur, përfshirë tre ish-ministra.
Pavarësisht skandaleve të shumta ligjore që kanë errësuar trashëgiminë e tij presidenciale, Sarkozy mbetet një figurë me ndikim në politikën e djathtë në Francë dhe në qarqet e argëtimit, falë martesës së tij me supermodelen italiane Carla Bruni.
Dënimi i Sarkozy-t ngre pikëpyetje mbi fatin e bashkëshortes së tij, pasi ajo u akuzua për korrupsion vitin e kaluar dhe mund të përballet me një dënim edhe më të gjatë se Sarkozy nëse shpallet fajtore. Ajo ka mohuar çdo shkelje.