Një front i ri konfrontimi mes Turqisë dhe Izraelit po merr formë në Bririn e Afrikës, ku po rreshtohen edhe aktorë të tjerë rajonalë. Shkak për këtë zhvillim është vendimi i Benjamin Netanyahut për të njohur Somalilandin si shtet të pavarur – një territor që është shkëputur nga Somalia që në vitin 1991, por që deri më sot nuk ishte njohur nga asnjë shtet sovran.

Ky hap vjen në një moment kur po qarkullojnë gjithnjë e më shumë informacione se lëvizjet politike dhe ushtarake në rajon po realizohen me tolerancën, nëse jo me nxitjen direkte, të Emirateve të Bashkuara Arabe. Abu Dhabi synon të ruajë një rol të fortë gjeopolitik në Bririn e Afrikës dhe Detin e Kuq – një ambicie që shpesh përplaset jo vetëm me interesat e Turqisë, por edhe me ato të Arabisë Saudite.

Edhe përpara njohjes nga Izraeli, Emiratet kishin investuar ndjeshëm në Somaliland, duke ngritur një bazë ushtarake në qytetin strategjik të Berberës, në hyrje të Detit të Kuq, si dhe duke investuar në pasuritë minerare të rajonit. Ky angazhim i hershëm e ka shndërruar Somalilandin në një pikë kyçe për arkitekturën e sigurisë dhe tregtisë në Gjirin e Adenit.

Rikthimi i Somalilandit në qendër të vëmendjes ndërkombëtare u thellua disa muaj më parë, kur ai i ofroi Etiopisë lehtësira portuale, duke i lëshuar një sipërfaqe të konsiderueshme portit të Berberës. Për Etiopinë, e cila pas shkëputjes së Eritresë mbeti pa dalje në det, kjo marrëveshje përfaqëson një interes jetik strategjik dhe ekonomik.

Pozicioni gjeografik i Somalilandit është kritik: ai ndodhet përballë Jemenit, në hyrje të Detit të Kuq, ku aktualisht po zhvillohet një konflikt i hapur në zonat jashtë kontrollit të Huthëve, mes forcave të mbështetura nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhe atyre të mbështetura nga Arabia Saudite. Në këtë mozaik tensioni, SHBA-të mbajnë një bazë të madhe ushtarake në Xhibuti, por, për të shmangur përplasjen direkte me Huthët, kanë refuzuar përdorimin e saj për sulme kundër tyre.

Me njohjen e Somalilandit, Izraeli në thelb po “vendos këmbën” në Gjirin e Adenit, pranë një prej rrugëve detare më strategjike në botë. Ky veprim krijon një përçarje të thellë në botën islame dhe arabe, por njëkohësisht shërben si kundërpeshë ndaj fuqive të tjera rajonale, veçanërisht Turqisë, e cila tashmë ka një prani të fortë në Somali përmes një baze të madhe ushtarake dhe marrëveshjeve për eksplorim në Zonën Ekskluzive Ekonomike të vendit.

Për Izraelin, prania në Somaliland shërben për disa objektiva njëkohësisht: monitorimin e lëvizjeve iraniane në rajon, balancimin e ndikimit egjiptian dhe saudit në Detin e Kuq, si dhe krijimin e një sistemi paralajmërimi të hershëm për kërcënimet që mund të vijnë nga Gjiri i Adenit. Mbi të gjitha, kjo lëvizje synon të frenojë depërtimin turk në këtë zonë strategjike dhe në Afrikën Qendrore, përmes korridorit somalez.

Reagimet kundër njohjes së Somalilandit ishin të menjëhershme. Me iniciativën e Turqisë dhe Egjiptit, u artikulua një qëndrim refuzues, i cili u mbështet edhe nga Xhibuti. Po ashtu, vendet fqinje afrikane dhe Organizata e Bashkëpunimit Islamik e dënuan hapin izraelit. Megjithatë, Etiopia, pavarësisht se në vitin 2023 Turqia kishte promovuar rolin e saj si ndërmjetësuese mes Addis Abebës dhe Mogadishut, ka shmangur deri tani një pozicion të qartë. Kjo heshtje interpretohet si rezultat i një mirëkuptimi me Izraelin, me synim ruajtjen e aksesit në portin e Berberës dhe forcimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes.

Egjipti, nga ana e tij, e sheh këtë zhvillim si një kërcënim të dyfishtë: si një destabilizim shtesë në Detin e Kuq, që rrezikon të ndikojë negativisht në të ardhurat nga Kanali i Suezit, dhe si një faktor që mund të forcojë pozitat e Etiopisë në konfliktin mbi Digën e Madhe të Rilindjes në Nilin e Kaltër. Kajro nuk dëshiron që Izraeli të shndërrohet në një aleat të ri strategjik të Addis Abebës, duke prishur ekuilibrat ekzistues në rajon.

Arabia Saudite e dënoi gjithashtu vendimin izraelit, por zgjodhi të mbajë një qëndrim më të kujdesshëm, duke publikuar një deklaratë të veçantë dhe duke shmangur rreshtimin e plotë me kampin kundërshtar.

Paradoksalisht, pas shpalljes së njohjes, Somaliland u bë territori i parë arab ku u zhvilluan demonstrata masive në mbështetje të Izraelit. Me rreth 3.5 milionë banorë, vendi shprehu publikisht mirënjohjen ndaj shtetit që, sipas tyre, e nxori nga izolimi ndërkombëtar i pas vitit 1991. Në këtë kontekst, Netanyahu e sheh këtë lëvizje edhe si një hap drejt zgjerimit të hartës së vendeve të përfshira në Marrëveshjet e Abrahamit