Një superoperacion ndërkombëtar kundër trafikut të drogës ka çuar në bllokimin e anijes “Arconian” nga autoritetet spanjolle, ndërsa në bord u zbulua një sasi gjigante kokaine me vlerë që kalon 812 milionë euro.
Anija, e cila lundronte me flamurin e Ishujve Komoro, u ndalua pas një operacioni të koordinuar mes Guardia Civil spanjolle, autoriteteve amerikane dhe atyre holandeze. Sipas mediave të huaja, në bord u sekuestruan rreth 30 tonë kokainë, një nga kapjet më të mëdha të regjistruara ndonjëherë në Evropë.
Droga ishte e paketuar në afro 1200 pako dhe dyshohet se do të shpërndahej në det përmes gomoneve të shpejta, për t’u futur më pas në territorin spanjoll. Gjatë kontrollit në anije, autoritetet gjetën gjithashtu armë zjarri dhe municione.
Në bord ndodheshin 17 pjesëtarë të ekuipazhit me origjinë nga Filipinet, ndërsa gjashtë persona të tjerë, të fshehur në anije, rezultuan shtetas të Holandës dhe Surinamit.
Autoritetet spanjolle kanë vendosur masën e paraburgimit pa të drejtë lirimi për të gjithë të arrestuarit, duke argumentuar se ekziston rrezik i lartë arratisjeje dhe vazhdimi të aktivitetit kriminal.
Ndërkohë, hetimet vijojnë për të identifikuar rrjetin ndërkombëtar që qëndron pas trafikut të drogës dhe lidhjet e mundshme me organizata kriminale në vende të ndryshme.
