Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerimin, Marta Kos, ka zhvilluar një takim në Bruksel me katër përfaqësues të Listës së Studentëve në Serbi. Ky është kontakti i parë i nivelit të lartë mes lëvizjes politike dhe institucioneve të BE-së pas fitores së saj të rëndësishme në zgjedhjet në Serbi.

Takimi u zhvillua me ftesë të vetë Kos, ndërsa përfaqësuesit e Listës së Studentëve prezantuan prioritetet e tyre, duke vënë theksin te rikthimi i shtetit të së drejtës dhe forcimi i demokracisë. Sipas tyre, këto ndryshime janë të domosdoshme jo vetëm për afrimin e Serbisë me Evropën, por mbi të gjitha për qytetarët e vendit.

Lëvizja studentore, e cila mori hov pas muajsh protestash, arriti të sigurojë shumicën absolute në parlament, duke i dhënë fund 14 viteve të qeverisjes së Partisë Progresive Serbe të drejtuar nga Aleksandar Vuçiç.

Ndryshimi politik në Beograd shihet nga Brukseli si një mundësi për të rihapur një kapitull të ri në marrëdhëniet mes Serbisë dhe Bashkimit Evropian. Vendi konsiderohet një nga aktorët më të rëndësishëm në Ballkanin Perëndimor dhe zhvillimet e fundit mund të ndikojnë në ecurinë e procesit të integrimit evropian.

Vetë Marta Kos konfirmoi takimin gjatë një seance dëgjimore në Komitetin e Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian, ku theksoi se Serbia ka mundësinë të nisë një rrugë të re politike.

Ajo u shpreh se qeveria e re duhet të shfrytëzojë këtë moment për të forcuar institucionet demokratike, për të garantuar të drejtat themelore dhe për të ndërmarrë reformat e nevojshme drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.