Të gjitha nderimet ushtarake dhe shtetërore që i takojnë”. Këto fjalë nuk janë shqiptuar nga ndonjë nostalgjik i luftërave jugosllave, por nga ministri serb i Drejtësisë, Nenad Vujic.
Ish-udhëheqësi ushtarak i serbëve të Bosnjës, Ratko Mlladiç, i cili u nda nga jeta dje në moshën 84-vjeçare dhe që njihej me nofkën “Kasapi i Ballkanit” për rolin e tij në masakrën e Srebrenicës të vitit 1995, vdiq të enjten në Hagë, ndërsa vuante dënimin me burgim të përjetshëm për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte. Ai do të varroset me një ceremoni zyrtare. Vendin e varrimit do ta zgjedhë familja. Beogradi, siç ka bërë të ditur Vujic, është gati të dërgojë një delegacion në Holandë për të sjellë trupin e tij në Serbi.
“Mlladiç është gjeneral dhe protokollet janë të njohura. Edhe roli i tij është i njohur, por ajo që i takon gjeneralit Mlladiç sigurisht që do të respektohet”, deklaroi ministri.
Gjenerali që komandonte ushtrinë e serbëve të Bosnjës u dënua në vitin 2017. Vendimi përfundimtar, i konfirmuar në apel në vitin 2021, e shpalli përgjegjës, ndër të tjera, për gjenocidin e Srebrenicës, ku në korrik të vitit 1995 u vranë më shumë se tetë mijë burra dhe djem boshnjakë, si edhe për krimet e kryera gjatë rrethimit të Sarajevës. Megjithatë, 31 vjet pas masakrës, fjala që zgjidhet në Beograd është “nderime”. Madje, nderimet “që i takojnë”. Vdekja e Mlladiçit rrezikon kështu të shndërrohet në një tjetër terren përplasjeje mbi kujtesën dhe interpretimin e luftërave në Ballkan.
Prej muajsh në gjendje të rëndë shëndetësore, ish-komandanti kishte kërkuar që ditët e fundit të jetës t’i kalonte në Serbi. Vetëm më 20 gusht, Mekanizmi Ndërkombëtar që ka trashëguar funksionet e Tribunalit për ish-Jugosllavinë kishte rrëzuar një tjetër kërkesë për lirimin e tij të parakohshëm për arsye humanitare. Tashmë, Vujic ka vënë në pikëpyetje edhe trajtimin mjekësor që Mlladiç ka marrë dhe ka njoftuar se do t’i dërgojë një letër Hagës, për të përcaktuar nëse ish-komandantit i është ofruar kujdesi i duhur.
Mekanizmi Ndërkombëtar ka hapur në fakt një hetim për vdekjen e tij, ndërsa autoritetet holandeze kanë nisur procedurat standarde që parashikohen në raste të tilla. Presidentja e Mekanizmit, Graciela Gatti Santana, ka urdhëruar një hetim të plotë mbi rrethanat e vdekjes. Ndërkohë, ceremonitë përkujtimore kanë nisur tashmë.
Në Republika Srpska, entiteti serb i Bosnjë-Hercegovinës, disa përfaqësues politikë morën pjesë në një ceremoni fetare në kujtim të gjeneralit. Milorad Dodik shkoi deri aty sa ta cilësonte vdekjen e tij “një vrasje”, duke pretenduar se Mlladiç kishte luftuar për të mbrojtur serbët. Në Srebrenicë, qëndrimi është krejtësisht i kundërt. Vdekja e tij, kujtoi Emir Suljagic, drejtor i Memorialit të Srebrenicës, “nuk i ndryshon vendimet e gjykatave” dhe “nuk i zbraz varret masive”. Glorifikimi i Mlladiçit ka mbërritur edhe në stadiume.
Gjatë ndeshjes së Europa League kundër Viktoria Plzen, tifozët e Crvena Zvezdës së Beogradit shpalosën një banderolë ku shkruhej: “Gjeneral, lavdi e përjetshme dhe faleminderit”, ndërsa kënduan edhe kore në mbështetje të Mlladiçit. Memoriali i Srebrenicës ka paraqitur një denoncim pranë UEFA-s, duke kërkuar madje përjashtimin e përhershëm të klubit nga kompeticionet europiane.
Sipas Memorialit, situatën e rëndon edhe vendimi i vetë klubit për të publikuar në kanalet e tij zyrtare fotografi në të cilat banderola në mbështetje të Mlladiçit dukej qartë. Dhe kjo nuk do të ishte hera e parë që Serbia u rezervon nderimet më të larta ushtarake personave të dënuar për krime lufte.
Në tetor të vitit të kaluar, Serbia varrosi me nderimet më të larta ushtarake, në Alejën e Qytetarëve të Shquar në Varrezat e Reja të Beogradit, Nebojsha Pavkoviç, ish-shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Jugosllave, i dënuar në Hagë me 22 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve të luftës të kryera ndaj shqiptarëve të Kosovës në vitin 1999.
Në funeralin e tij morën pjesë ministri serb i Mbrojtjes dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë. Serbia negocion për anëtarësimin në Bashkimin Europian që prej vitit 2014, por në raportin e fundit për zgjerimin, Komisioni Europian kishte denoncuar tashmë faktin se partitë politike, politikanët dhe mediat serbe vazhdonin t’u ofronin mbështetje dhe hapësirë publike personave të dënuar për krime lufte, si edhe të mohonin krime të vërtetuara nga drejtësia, përfshirë gjenocidin e Srebrenicës, dhe e gjithë kjo ndodhte “pa pasoja”. Vetëm një vit më parë, në 30-vjetorin e gjenocidit të Srebrenicës, presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, garantonte se Europa nuk do të lejonte askënd “të rishkruante historinë”. Në Beograd, megjithatë, pikërisht kjo po ndodh.
