Protestat kundër presidentit serb Aleksandar Vuçiç nuk po ndalen, ndërsa këtë të premte vendi është përfshirë nga një grevë e përgjithshme.
Greva, e cila ka marrë përmasa kombëtare, është iniciuar nga studentët dhe gjimnazistët, me mbështetjen e sindikatave dhe shoqatave të ndryshme profesionale. Kjo është greva e dytë e përgjithshme brenda pak muajsh, pas asaj të mbajtur më 24 janar.
Sipas mediave serbe, qytetarët janë mbledhur në të gjitha qytetet kryesore të vendit, me protesta masive në Novi Sad, Nish dhe Kragujevc. Pasi marshimet përfunduan në këto qytete, një tubim i madh nisi në Beograd rreth orës 15:30, ndërsa protestuesit filluan marshimin në kryeqytetin serb në orën 16:00.
Protestat shpërthyen pas tragjedisë së 1 nëntorit 2024, kur shembja e çatisë në një stacion treni në Novi Sad shkaktoi vdekjen e 15 personave. Ngjarja tronditi vendin dhe nxiti pakënaqësitë ndaj qeverisë.
Presidenti Vuçiç ka akuzuar shërbimet e huaja të inteligjencës për organizimin e protestave, ndërsa situata ka çuar tashmë në dorëheqjen e kryeministrit Millosh Vuçeviç dhe kryetarit të Komunës së Novi Sadit, Milan Gjuriç.
