Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë (MUP) ka vazhduar edhe gjatë vitit të kaluar bashkëpunimin me kompaninë ruse të IT-së Papilon, pavarësisht faktit se kjo kompani ndodhet nën sanksione të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian që nga viti 2023, zbulon një hulumtim i Radios Evropa e Lirë.

Skandali bëhet edhe më i rëndë nga fakti se një pjesë e pajisjeve të Papilon është financuar me fonde të Bashkimit Evropian, konkretisht përmes fondeve IPA, të dedikuara për reformat në vendet kandidate për anëtarësim në BE.

Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Guillaume Mercier, ka paralajmëruar se Brukseli mund të kërkojë kthimin e parave nga Serbia, nëse konstatohet se fondet e BE-së janë përdorur në kundërshtim me rregullat dhe sanksionet evropiane.

“Nëse vërtetohet se një shpenzim nuk është bërë në përputhje me rregullat e BE-së, përfshirë sanksionet, BE-ja do të ndërmarrë masa për mbrojtjen e buxhetit të saj, përfshirë edhe kthimin e fondeve,” deklaroi Mercier për RSE.

Papilon është një kompani ruse e specializuar në sisteme biometrike dhe forenzike, e njohur për zhvillimin e sistemit AFIS, i cili mundëson identifikimin e personave përmes gjurmëve të gishtërinjve, fytyrës dhe irisit të syrit.

Sipas dokumenteve zyrtare, në tetor 2023, Qendra Kombëtare për Forenzikë Kriminalistike e Serbisë kaloi në versionin e ri Papilon AFIS 9, për çka u shpenzuan rreth 1 milion euro, pjesërisht nga fondet e BE-së – në një kohë kur kompania ishte tashmë nën sanksione amerikane.

Ekspertët paralajmërojnë se kjo teknologji mund të përdoret për mbikëqyrje masive të qytetarëve, përfshirë identifikimin automatik të protestuesve në kohë reale përmes kamerave të sigurisë.

Sipas BE-së dhe SHBA-së, Papilon dhe kompanitë e lidhura me të janë sanksionuar për shkak të lidhjeve të drejtpërdrejta me aparatin ushtarak dhe të sigurisë së Rusisë, si dhe për përdorimin e teknologjisë biometrike në territoret e pushtuara të Ukrainës, për shtypjen e rezistencës dhe kontrollin e popullsisë.

Vetë kompania pranon në faqen e saj zyrtare se ka bashkëpunim afatgjatë me Ministrinë e Brendshme ruse, duke administruar një bazë biometrike kombëtare me mbi 155 milionë qytetarë rusë.

Pavarësisht pyetjeve të përsëritura, MUP i Serbisë nuk ka dhënë asnjë përgjigje lidhur me arsyet e vazhdimit të bashkëpunimit me një kompani të sanksionuar ruse.

Përveç fondeve të BE-së, Serbia ka shpenzuar më shumë se 1.4 milionë euro nga buxheti i saj gjatë katër viteve të fundit për pajisje dhe softuerë të Papilon.

Rasti i Papilonit shton dyshimet se Serbia, ndonëse formalisht kandidate për anëtarësim në BE, vazhdon të mbajë lidhje të ngushta dhe të rrezikshme me sektorin e sigurisë ruse, madje edhe duke përdorur para evropiane.