Presidenti Aleksandar Vuçiç, është shprehur i vendosur për të mos i vendosur sanksione Rusisë, teksa  tha se Serbia do të luftojë për aq kohë sa mundet që të mbajë politikën e saj për të mos  vendosur sanksione.

Në një intervistë për TV Prva, ai theksoi ndër të tjera se dëmi që po përjeton Serbia si rezultat i kësaj politike, është i madh  duke shtuar se jeta do të ishte “dhjetë herë më e mirë” nëse Beogradi do të vendoste sanksione ndaj Moskës. Megjithatë ai theskoi se nuk do ta bëjë një gjë të tillë, sepse Serbia, sipas tij, po ndjek një politikë të pavarur.

“Të gjithë do të thonë se Vuçiç po njofton për vendosjen e sanksioneve. Jo, ne do të luftojmë për aq kohë sa mundemi për të mbajtur politikën tonë”, tha Vuçiç.

Ai përsëriti se Serbia e di “se sa të padrejta janë sanksionet” dhe po vepron kështu për shkak të respektimit të të drejtave, por shtoi se “populli duhet ta dijë se shteti po humb shumë për shkak të mosvendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë”.