Një kirurge italiane, e cila ishte kthyer në Itali nga Republika Demokratike e Kongos, do të vendoset nën vëzhgim mjekësor pasi ka pasur kontakt të drejtpërdrejtë me një rast të dyshuar të virusit Ebola në Afrikë.
Ministria italiane e Shëndetësisë bëri të ditur se mjekja nuk paraqet simptoma të sëmundjes, por sipas protokolleve shëndetësore do të karantinohet për arsye sigurie dhe monitorimi. Sipas autoriteteve, më 16 maj një fëmijë i plagosur nga lufta në Republikën Demokratike të Kongos iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale dhe më pas u testua për Ebolën, çka ngriti alarmin për kontaktet e mundshme me virusin.
Megjithatë, Ministria italiane e Shëndetësisë theksoi se aktualisht nuk ka raste të konfirmuara të Ebolës në Itali dhe se rreziku për përhapjen e sëmundjes mbetet shumë i ulët. Kujtojmë se dhe dy mjekë të tjerë që ishin kthyer nga Uganda janë karantinuar me dyshimet se janë infektuar me Ebola. Ndërkohë, situata në Republikën Demokratike të Kongos vazhdon të jetë shqetësuese. Mungesa e infrastrukturës dhe kushtet e vështira po pengojnë përpjekjet për të frenuar epideminë, sipas punonjësve të shëndetësisë dhe organizatave humanitare në terren.
Qeveria në Kongo ka raportuar rreth 930 raste të dyshuara dhe afro 220 viktima që besohet se lidhen me shpërthimin e epidemisë, e cila është shkaktuar nga një lloj virusi për të cilin ende nuk ekziston vaksinë apo trajtim specifik.
