Dy dronë të pikasur mbi pistat e aeroportit të Mynihut shkaktuan mbylljen e tij përkohësisht, duke prekur rreth 6,500 pasagjerë. Incidenti ndodhi mbrëmjen e djeshme, rreth orës 21:28 (me orën lokale), kur patrullat e policisë federale konstatuan dronë njëkohësisht mbi pistën veriore dhe atë jugore. Sapo u vunë re, dronët ndryshuan kurs dhe u zhdukën, pa mundur të identifikohen. Ende nuk dihet përmasat e tyre.

Aeroporti u rihap sot në orën 05:00, por gjatë natës qindra udhëtarë mbetën të bllokuar në terminale pas anulimit ose shtyrjes së fluturimeve. Në total, 23 avionë që pritej të uleshin në Mynih u devijuan drejt Shtutgartit dhe Nurembergut, ndërsa 12 fluturime të tjera u anuluan. Nga nisjet, u preken 46 fluturime, duke shkaktuar vonesa dhe anulime. Në disa raste, pasagjerët ishin ulur tashmë në aeroplan, por u desh të zbrisnin.

“Aeroporti i Mynihut, në bashkëpunim me linjat ajrore, menjëherë vuri në dispozicion ndihmë për pasagjerët, duke ofruar shtretër kampingu, batanije, ushqime të lehta dhe pije”, njoftuan autoritetet aeroportuale.