Shumica e liderëve perëndimorë kanë refuzuar të marrin pjesë në paradën e “Ditës së Fitores” të mbajtur në Kinë, por dy prej tyre kryeministri sllovak Robert Fico dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiç vendosën të jenë të pranishëm, duke tërhequr vëmendje për motivet e tyre të ndryshme.

Të dy udhëheqësit morën pjesë edhe në paradën e majit në Moskë dhe janë takuar disa herë me presidentin rus Vladimir Putin, përfshirë edhe këtë herë në Pekin.

Vuçiç, megjithëse drejton një vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ka kultivuar marrëdhënie të ngushta ekonomike me Kinën, duke mbajtur një linjë të ashtuquajtur “neutraliteti” ndaj Rusisë. Edhe pse Beogradi e ka dënuar publikisht luftën e Moskës në Ukrainë, Vuçiç ka ruajtur komunikimin e vazhdueshëm me Kremlinin.


Fico, nga ana tjetër, vjen nga një shtet që është anëtar i BE-së dhe NATO-s. Megjithatë, ai ka kërkuar hapur normalizimin e marrëdhënieve me Rusinë. Në kohën kur Brukseli synon t’i japë fund importeve të naftës dhe gazit rus deri në vitin 2027, ai ka deklaruar se dëshiron të rrisë furnizimet energjetike nga Rusia. Ukraina ka tentuar madje të ndalojë tubacionin që furnizon Sllovakinë.

Putini e ka lavdëruar Ficon për “politikën e tij të jashtme të pavarur”, por partnerët evropianë të Bratislavës e shohin qëndrimin e tij si devijim nga linja e përbashkët e BE-së.
Kur u pyet nëse Fico përfaqësonte BE-në në Pekin, një zëdhënëse e Komisionit Evropian u përgjigj prerazi me “jo”, duke theksuar se Kina është një “mundësues kyç” i luftës së Rusisë në Ukrainë.

Ndërkohë, kundërshtarët e Ficos në Sllovaki e akuzojnë atë për përhapje të propagandës ruse dhe për “tradhti” ndaj interesave kombëtare. Vetë ai argumenton se ndodhet në Pekin në një moment kur “po formohet një rend i ri botëror” dhe paralajmëroi se pas bisedimeve me Putinin, do të ketë një “mesazh serioz” për presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, me të cilin pritet të takohet së shpejti.