Presidenti amerikan, Donald Trump, ka vendosur të tërheqë Shtetet e Bashkuara nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO), sipas një zyrtari të Shtëpisë së Bardhë që foli për CNN.
Ky vendim është pjesë e një strategjie më të gjerë të administratës Trump për t’u distancuar nga organizatat ndërkombëtare dhe për të përqendruar vëmendjen tek politikat e brendshme, përfshirë edhe ndërprerjen e programeve për Diversitet, Barazi dhe Përfshirje (DEI).
“Presidenti Trump ka vendosur të tërhiqet nga UNESCO një organizatë që sipas tij mbështet kauza ‘woke’, të polarizuara dhe të largëta nga interesat për të cilat votuan amerikanët,” tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Anna Kelly.
Departamenti i Shtetit bëri të ditur se tërheqja e plotë e SHBA-së do të hyjë në fuqi më 31 dhjetor 2026, duke argumentuar se vazhdimi i anëtarësimit nuk përputhet me interesat kombëtare të vendit.
UNESCO është e njohur ndërkombëtarisht për nxitjen e bashkëpunimit në fusha si arsimi, shkenca, kultura dhe komunikimi, me qëllim forcimin e paqes globale. Ndër veprimtaritë më të njohura të saj janë përzgjedhja dhe shpallja e Siterve të Trashëgimisë Botërore, mes të cilave edhe Grand Canyon në SHBA.
Marrëdhëniet e SHBA-së me UNESCO-n kanë qenë të trazuara ndër vite. SHBA u largua nga organizata në vitin 1984, gjatë presidencës së Ronald Reagan, për arsye financiare dhe pretendime për qëndrime anti-amerikane. U rikthye në vitin 2003, nën presidencën e George W. Bush, por u tërhoq sërish në vitin 2017 gjatë mandatit të parë të Trump, për t’u rikthyer më vonë gjatë presidencës së Joe Biden.
Pas kthimit në detyrë, Trump urdhëroi një rishikim të anëtarësimit të SHBA-së në UNESCO, duke përfshirë edhe shqetësimet për paragjykime anti-semite dhe anti-izraelite. Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Tammy Bruce, tha se angazhimi i UNESCO-s në agjendat globale, si objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm të OKB-së, nuk përputhet me politikën “America First” të Trump.
Bruce përmendi gjithashtu se pranimi i “Shtetit të Palestinës” si anëtar me të drejta të plota në UNESCO është një tjetër arsye që e shtyu administratën drejt këtij vendimi, duke e cilësuar këtë si një hap që nxit retorikë anti-izraelite.
Ky është largimi i tretë i SHBA-së nga UNESCO në historinë e saj.
