Pakistani mund të shndërrohet në një pikë kyçe diplomatike për përpjekjet drejt paqes në Lindjen e Mesme, pasi ka ofruar të presë bisedime mes Shtetet e Bashkuara dhe Iranit. Sipas raportimit të Financial Times, takimet mund të zhvillohen që këtë javë në kryeqytetin Islamabad dhe të përfshijnë zyrtarë të lartë nga të dy vendet.
Zhvillimet vijnë në një moment tensioni në rajon, ndërsa drejtuesit pakistanezë kanë intensifikuar kontaktet diplomatike. Shefi i ushtrisë, Asim Munir, ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin amerikan Donald Trump, ndërsa kryeministri Shehbaz Sharif ka folur me presidentin iranian Masoud Pezeshkian.
Gjatë komunikimit me Teheranin, Sharif ka shprehur shqetësimin për përshkallëzimin e konflikteve në rajonin e Gjirit dhe ka theksuar se Pakistani është i gatshëm të luajë rol aktiv në lehtësimin e dialogut dhe arritjen e paqes.
Nga ana tjetër, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baqaei, ka bërë të ditur se Irani ka marrë mesazhe nga vende të ndryshme që sinjalizojnë interesin e SHBA-ve për negociata. Sipas tij, këtyre iniciativave u është dhënë përgjigje në përputhje me qëndrimet zyrtare të Teheranit.
Ndërkohë, presidenti Trump ka deklaruar se SHBA-të mund të shtyjnë sulmet ndaj objekteve energjetike iraniane pas asaj që ai e quajti “bisedime produktive”, megjithëse autoritetet iraniane mohojnë ekzistencën e një dialogu të drejtpërdrejtë aktualisht.
Shtëpia e Bardhë nuk ka dhënë detaje mbi këto kontakte, duke i cilësuar ato si diskutime të ndjeshme diplomatike që nuk mund të zhvillohen publikisht.
Sipas burimeve, zyrtarët pakistanezë po ndihmojnë në ndërmjetësimin e komunikimeve mes Teheranit dhe të dërguarve të Trump, përfshirë Steve Witkoff dhe Jared Kushner.
Përveç Pakistanit, edhe vende të tjera si Egjipti dhe Katari janë përmendur si ndërmjetës të mundshëm në përpjekjet për uljen e tensioneve në rajon.
