Shtetet e Bashkuara dhe Kina kanë rënë dakord të zgjasin sërish armëpushimin tregtar mes dy vendeve, duke i dhënë më shumë kohë negociatave për çështjet kryesore ekonomike.

Lajmi u bë i ditur nga Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, i cili tha për Fox News se delegacionet e të dyja vendeve zhvilluan një takim 12-orësh të mërkurën. Sipas Bessent, bisedimet ishin “produktive” dhe synojnë të krijojnë hapësirë për përparim të mëtejshëm në marrëdhëniet ekonomike.

Armëpushimi tregtar është zgjatur disa herë që prej majit 2025, kur Washingtoni dhe Pekini nisën negociatat në Gjenevë pas përshkallëzimit të fortë të luftës tregtare.

Gjatë kulmit të përplasjes, tarifat amerikane ndaj importeve kineze arritën deri në 145%, ndërsa Kina vendosi tarifa mbi 100% për një pjesë të mallrave amerikane.

Aktualisht, tarifat amerikane ndaj mallrave kineze janë në nivelin 30%, ndërsa Kina aplikon tarifa 10% ndaj importeve amerikane. Marrëveshja e fundit, e cila do të skadonte më 10 nëntor, është shtyrë deri më 10 janar.

Në rast se armëpushimi do të përfundonte, tarifat amerikane ndaj mallrave kineze do të rriteshin në 54%, ndërsa ato kineze ndaj eksporteve amerikane do të riktheheshin në 34%.

Megjithatë, pavarësisht vazhdimit të negociatave, tensionet mes dy fuqive ekonomike mbeten. Të dyja palët kanë vijuar të kufizojnë eksportet e produkteve që i konsiderojnë të rëndësishme për sigurinë kombëtare, përfshirë çipat e avancuar të përdorur në zhvillimin e inteligjencës artificiale dhe materialet e rralla tokësore.