Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, i ka bërë thirrje publike presidentit amerikan Donald Trump që të ndalë “kërcënimet” lidhur me marrjen e Groenlandës, duke theksuar se Shtetet e Bashkuara nuk kanë asnjë të drejtë të aneksojnë territorin.

Në një reagim zyrtar të publikuar në faqen e qeverisë daneze, Frederiksen deklaroi se ideja e aneksimit është e papranueshme. “Nuk ka absolutisht asnjë kuptim të flitet për nevojën që SHBA të marrë Groenlandën. Shtetet e Bashkuara nuk kanë të drejtë të aneksojnë asnjërin prej tre vendeve që përbëjnë Mbretërinë Daneze,” u shpreh ajo.

Reagimi i kryeministres vjen pas një postimi në rrjetet sociale nga Katie Miller, bashkëshortja e një këshilltari të Trumpit, e cila publikoi një hartë të Groenlandës me ngjyrat e flamurit amerikan dhe fjalën “SOON”, duke shkaktuar polemika të forta në Kopenhagen.

Frederiksen theksoi se Danimarka dhe Groenlanda janë pjesë e NATO-s dhe përfitojnë nga garancia e sigurisë së aleancës, ndërsa kujtoi se ekziston tashmë një marrëveshje mbrojtjeje që i garanton SHBA-së akses ushtarak në Groenlandë. Ajo shtoi se Danimarka ka rritur ndjeshëm investimet për sigurinë në Arktik.

“U bëj thirrje SHBA-së të ndalë kërcënimet ndaj një aleati historik dhe ndaj një populli që e ka bërë shumë të qartë se nuk është në shitje,” tha kryeministrja daneze.

Megjithatë, vetëm disa orë më vonë, presidenti Trump e përsëriti qëndrimin e tij. Duke folur nga Air Force One, ai deklaroi se Groenlanda është e nevojshme për sigurinë kombëtare të SHBA-së, duke shtuar se Danimarka, sipas tij, “nuk është në gjendje ta mbrojë”.

Edhe ambasadori danez në SHBA reagoi, duke theksuar se dy vendet janë aleate dhe se Danimarka pret respekt për integritetin e saj territorial.

Trump e ka ngritur disa herë idenë e aneksimit të Groenlandës, duke përmendur pozicionin strategjik dhe pasuritë minerare të ishullit, madje pa përjashtuar edhe përdorimin e forcës.

Groenlanda, me rreth 57 mijë banorë, gëzon vetëqeverisje të gjerë që nga viti 1979, ndërsa mbrojtja dhe politika e jashtme mbeten në kompetencë të Danimarkës. Ndërsa shumica e groenlandezëve mbështesin pavarësinë nga Danimarka, sondazhet tregojnë kundërshtim të fortë ndaj bashkimit me Shtetet e Bashkuara.