Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndërmarrë një sulm ndaj një depoje të madhe municionesh në Iran, duke përdorur bomba të fuqishme “shkatërruese bunkerësh” me peshë rreth 900 kilogramë.

Presidenti Donald Trump publikoi pamje nga operacioni, ku shfaqen shpërthime të njëpasnjëshme në Isfahan, një nga qendrat kryesore të infrastrukturës ushtarake dhe bërthamore iraniane.

Ndërkohë, autoritetet iraniane kanë reaguar ashpër. Zëdhënësi i gjyqësorit, Asghar Jahangir, deklaroi se çdo person që dërgon informacion tek SHBA apo Izraeli mund të përballet me dënim me vdekje.

Sipas tij, një ligj i rishikuar për spiunazhin, i miratuar në tetor, parashikon masa ekstreme, përfshirë konfiskimin e pasurisë dhe ekzekutimin, edhe për shpërndarjen e fotove apo videove tek “qeveritë armike”.

“Kur publikohen pamje nga zonat e goditura, armiku informohet për saktësinë e objektivave”, u shpreh Jahangir, duke e cilësuar një veprim të tillë si bashkëpunim me armikun në fushën e inteligjencës.

Autoritetet iraniane kanë ndërmarrë më parë masa të ngjashme, duke arrestuar persona të dyshuar për dërgim informacioni drejt SHBA-së dhe Izraelit, ndërsa në disa raste janë raportuar edhe ekzekutime të individëve të akuzuar për aktivitete kundër shtetit.