Një sulm i ri amerikan në Oqeanin Paqësor ndaj një anijeje të dyshuar për trafik droge ka shkaktuar dy viktima. Operacioni është pjesë e fushatës së Uashingtonit kundër rrjeteve të trafikimit të drogës në Amerikën Latine. Megjithatë, mungesa e provave të publikuara për objektivat ka shtuar debatet mbi bazën ligjore të kësaj fushate.
Ushtria amerikane njoftoi se ka kryer një tjetër sulm ndaj një anijeje të dyshuar për trafikimin e lëndëve narkotike në Paqësorin Lindor. Sipas Komandës Jugore të SHBA-së, operacioni synon goditjen e karteleve dhe ndërprerjen e rrugëve detare të përdorura për transportin e drogës.
Në pamjet e publikuara nga ushtria amerikane shihet anija duke lundruar në ujërat e Paqësorit, përpara se të goditet dhe të përfshihet nga një shpërthim i fuqishëm. Nga sulmi humbën jetën dy persona që ndodheshin në bord.
Operacioni është pjesë e fushatës amerikane të quajtur “Shtiza Jugore”, e nisur në fillim të shtatorit dhe e fokusuar në goditjen e mjeteve që dyshohen se përdoren nga rrjetet e trafikut të drogës në zonat detare pranë Amerikës Latine.
Që prej nisjes së fushatës, sulmet amerikane kanë shkaktuar më shumë se 200 viktima. Megjithatë, administrata Trump nuk ka publikuar prova përfundimtare për të gjitha anijet e goditura dhe lidhjen e tyre me trafikun e drogës.
Kjo ka shkaktuar shqetësime nga ekspertë ligjorë dhe organizata të të drejtave të njeriut, të cilët paralajmërojnë se sulmet pa prova të mjaftueshme dhe pa një proces të qartë ligjor mund të ngrenë çështje serioze mbi ligjshmërinë e përdorimit të forcës.
Në këtë kuadër, fushata amerikane po përballet me një debat në rritje jo vetëm për efektivitetin e saj në luftën kundër trafikut të drogës, por edhe për përgjegjësinë ndaj personave që ndodhen në bordet e mjeteve të goditura.
Sulmi i fundit tregon se Uashingtoni po vijon strategjinë e goditjes ushtarake ndaj mjeteve që i konsideron pjesë të rrjeteve të trafikimit të drogës. Ndërkohë, numri në rritje i viktimave dhe mungesa e provave të bëra publike vazhdojnë të ushqejnë debatet mbi përputhshmërinë e kësaj fushate me të drejtën ndërkombëtare.
