“Uashingtoni dëshiron që Japonia të ndalojë importin e produkteve energjetike nga Rusia”, tha Sekretari i Thesarit i SHBA-së, Scott Besant, menjëherë pas deklaratës së Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, i cili bëri thirrje që India do t’i japë fund blerjeve të naftës nga Moska.
Nëpërmjet një postimi në platformën “X” sekretari i thesarit tha se ka biseduar me Ministrin japonez të Financave Katsunobu Kato, i cili ndodhet për vizitë në Uashingtonin, dhe i shprehu atij “pritjen e qeverisë (amerikane) që Japonia do të ndalojë importimin e energjisë nga Rusia”.
Japonia, një vend i varfër në burime natyrore, është shumë i varur nga importet e naftës dhe gazit.
Në vitin 2023, arkipelagu shpenzoi 582 miliardë jen (3.3 miliardë euro) për të importuar gaz natyror të lëngshëm rus (LNG), sipas të dhënave më të fundit të disponueshme nga doganat japoneze, një shumë kjo e rritur me 56% krahasuar me vitin 2021.
Rusia përbënte 8.9% të importeve totale të LNG-së të Japonisë në vitin 2023, duke e bërë vendin furnizuesin e tretë më të madh të arkipelagut, pas Australisë (42.6%) dhe Malajzisë (15%).
Reagimi i ministrit japonez
“Do të preferoja të mos komentoja mbi deklaratat e ministrave të tjerë”, ishte reagimi i zotit Kato kur u pyet për këtë çështje nga punonjësit e medias japoneze të pranishëm në Uashington.
“Ne jemi të vendosur të bëjmë gjithçka që është e mundur nga ana jonë për të siguruar një paqe të drejtë në Ukrainë në bashkëpunim me vendet e tjera të G7-ës”, shtoi ai.
Çfarë tha Trump për Indinë?
Presidenti amerikan, Donald Trump, siguroi disa orë më parë se kryeministri indian Narendra Modi i kishte premtuar se Nju Delhi do të ndalojë blerjen e naftës ruse.
“Isha i mërzitur që India po blinte naftë (ruse) dhe (Z. Modi) më siguroi sot se nuk do të blinte më naftë nga Rusia”, tha presidenti republikan.
“Ky është një hap i madh përpara. Tani, duhet ta bind Kinën të bëjë të njëjtën gjë”, shtoi ai, duke folur me gazetarët në Zyrën Ovale. Nju Delhi nuk e ka konfirmuar këtë deri më tani.
Presidenti amerikan vendosi tarifa shtesë prej 50% për produktet indiane të eksportuara në SHBA më 27 gusht, si ndëshkim për blerjet e naftës ruse nga India, të cilën Uashingtoni thotë se po financon luftën që Vladimir Putin filloi në Ukrainë në shkurt 2022.