Ish-ministri për shtyp i Rusisë, Mikhail Lesin, që dikur udhëhiqte gjigantin mediatik, Gazprom-Media, të kontrolluar nga shteti, ka vdekur nga ataku kardiak në Uashington, kanë raportuar mbrëmë mediat.
Duke cituar zyrtarët rusë dhe amerikanë, ABC News ka raportuar se Lesin ishte gjetur pardje, i vdekur brenda dhomës së hotelit në hapësirën Dupont Circle të Uashingtonit.
Rrjeti televiziv në gjuhën angleze, Russia Today, i njohur edhe si RT, të cilin thuhet se e ka krijuar Lesin, duke u bazuar në anëtarët e familjes ka raportuar ish-ministri dhe këshilltar për një kohë të gjatë i presidentit rus, Vladimir Putin, ka vdekur nga ataku kardiak.
Agjencia TASS dhe ABC kanë raportuar se policia nuk ka gjetur shenja të ndonjë akti kriminal, por kanë filluar hetimet formale lidhur me vdekjen e tij.
Disa ligjvënës amerikanë e kishin akuzuar Mikhail Lesin, që ishte ministër i shtypit i Rusisë në periudhën 1999-2004, për censurë të mediave të pavarura në Rusi.
Një senator amerikan, para 11 muajve ka kërkuar nga Departamenti amerikan i drejtësisë që të zhvilloj hetime nëse Lesin ka shfrytëzuar fonde ilegale për të blerë disa shtëpi në territorin në Los Anxhelos, prej miliona dollarësh.
7 nëntor 2015 (gazeta-Shqip.com)