Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, konfirmoi të mërkurën se kishte autorizuar operacione të fshehta dhe potencialisht vdekjeprurëse të CIA-s në Venezuelë. Ai tha se po “shqyrtonte” urdhërimin e sulmeve tokësore ushtarake amerikane në vendin e Amerikës Latine, duke shënuar një përshkallëzim dramatik të presionit të Uashingtonit për të detyruar Presidentin Nicolas Maduro dhe qeverinë e tij të largohen nga pushteti.
Karakasi reagoi duke i quajtur deklaratat e republikanit një shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe një përpjekje për të legjitimuar një operacion “ndryshimi regjimi” që synonte sekuestrimin e pasurisë së naftës së vendit. “Misioni ynë i përhershëm në OKB do t’ia shprehë protestën tonë për këtë Këshillit të Sigurimit dhe Sekretarit të Përgjithshëm sot, duke kërkuar llogari nga qeveria amerikane”, theksoi Ministri i Jashtëm Venezuelës Ivan Hill nëpërmjet Telegramit.
Sipas informacionit nga New York Times, e cila citoi zyrtarë amerikanë të vetëdijshëm për çështjen, një dokument i klasifikuar i administratës Trump autorizon operacione të fshehta të CIA-s në Venezuelë dhe në Karaibe, me qëllim rrëzimin e Nicolas Maduros. Uashingtoni akuzon presidentin venezuelian dhe qeverinë e tij për drejtimin e karteleve të trafikut të drogës të destinuara për tregun amerikan dhe, në fillim të këtij viti, dyfishoi në 50 milionë dollarë shpërblimin që ofron për informacionin që çon në arrestimin e z. Maduro. Karakasi i mohon kategorikisht këto akuza. I pyetur pse miratoi operacionet e agjencisë amerikane të spiunazhit në Venezuelë, Donald Trump iu referua imigracionit të paligjshëm dhe trafikut të drogës.
“Për dy arsye,” tha republikani. “Së pari, ata zbrazën burgjet e tyre në Shtetet e Bashkuara,” argumentoi ai, duke shtuar se të burgosurit u dërguan “përtej kufirit”, pasi “kishim një kufi të hapur”. Dhe “gjëja tjetër është droga”, shtoi ai. Ai nuk paraqiti asnjë provë për pretendimin se Karakasi po dërgon ish-të burgosur në vendin e tij.