Operacioni ushtarak amerikan i koduar “Maduro Out”, që përfundoi me arrestimin e presidentit të Venezuelës, Nicolás Maduro, dhe bashkëshortes së tij, Cilia Flores, ka rihapur debatin mbi një praktikë të rrallë, por të dokumentuar historikisht: kapjen ose largimin me forcë të krerëve të shteteve të huaja nga Shtetet e Bashkuara përmes operacioneve jashtë territorit amerikan.
Rasti i Venezuelës nuk përbën precedent të vetëm. Historia njeh të paktën katër raste të tjera kur liderë shtetesh janë ndaluar, rrëzuar ose transferuar me forcë pas ndërhyrjeve amerikane.
Një nga episodet më të diskutueshme mbetet ai i ish-presidentit të Haitit, Jean-Bertrand Aristide. Në vitin 2004, Aristide u largua nga vendi nën rrethana të paqarta, i shoqëruar nga rreth 20 marinsa amerikanë. Ai u dërgua fillimisht në Republikën e Afrikës Qendrore dhe më pas në Afrikën e Jugut, përpara se të rikthehej në Haiti disa vite më vonë. Mbështetësit e tij e kanë cilësuar ngjarjen si një “rrëmbim politik”, akuzë që vijon të ngjallë polemika edhe sot.
Në dhjetor të vitit 2003, forcat amerikane arrestuan ish-diktatorin irakian Saddam Hussein gjatë operacionit “Agimi i Kuq”. Pas tetë muajsh kërkimesh intensive, ai u gjet i fshehur në një strehë nëntokësore. Arrestimi u konsiderua kulmi i ndërhyrjes amerikane në Irak gjatë presidencës së George W. Bush. Më pas, Hussein u gjykua nga autoritetet irakiane dhe u dënua me vdekje.
Një tjetër rast i njohur është ai i presidentit panamez Manuel Noriega. Në janar të vitit 1990, operacioni amerikan “Just Cause”, i urdhëruar nga presidenti George H. W. Bush, çoi në rrëzimin e tij nga pushteti. Noriega u arrestua dhe u transferua në Shtetet e Bashkuara, ku u gjykua për trafik droge dhe korrupsion, duke u dënuar me mbi 40 vite burg.
Rasti më i hershëm daton në vitin 1901 dhe lidhet me Emilio Aguinaldon, presidentin e Republikës së Parë Filipinase. Gjatë Luftës Filipino-Amerikane, Aguinaldo u kap nga forcat amerikane, çka shënoi fundin e përpjekjeve për pavarësi në atë fazë dhe krijoi një precedent të hershëm të ndërhyrjes amerikane përtej kufijve të saj.
Operacioni në Venezuelë pritet të rikthejë diskutimet ndërkombëtare mbi ligjshmërinë, pasojat politike dhe ndikimin afatgjatë të ndërhyrjeve të tilla në rendin global.
