Kryeministri i Spanjës, Pedro Sánchez, ka reaguar ndaj kërcënimeve të presidentit amerikan Donald Trump, duke theksuar se Spanja nuk do të përkrahë luftën e SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit, përkundër presionit nga Uashingtoni. Në një fjalim televiziv, Sánchez theksoi se vendi i tij do të qëndrojë i palëkundur në qëndrimin e tij dhe se nuk do të ndryshojë politikën e tij nga frika e hakmarrjes ndërkombëtare.
“Ne nuk do të miratojmë një qëndrim që shkon kundër vlerave dhe parimeve tona nga frika e hakmarrjes”, u shpreh ai, duke shtuar se Spanja nuk do të lejojë përdorimin e bazave të saj ushtarake për sulme ndaj Iranit, siç kërkonte SHBA. Ky reagim erdhi pas kërcënimit të Trumpit për të ndërprerë marrëdhëniet tregtare mes dy shteteve, në përgjigje të deklaratës së Madridit që kundërshtonte përdorimin e bazave ushtarake të përbashkëta për operacione kundër Iranit.
Sánchez e mbrojti qëndrimin e Spanjës, duke e lidhur atë me pozicionet e mëparshme të Madridit në kriza të tjera ndërkombëtare, si pushtimi i Ukrainës nga Rusia dhe lufta në Gaza. “Ne i themi jo rënies së ligjit ndërkombëtar. Ne i themi jo ideve të zgjidhjes së problemeve përmes konfliktit dhe bombardimeve. Ne i themi jo përsëritjes së gabimeve të së kaluarës… Ne i themi jo luftës”, u shpreh kryeministri spanjoll.
Ai gjithashtu e krahasoi mundësinë e një sulmi amerikan ndaj Iranit me pushtimin e Irakut nga SHBA në vitin 2003, duke paralajmëruar se një përshkallëzim i situatës mund të sjellë pasoja destabilizuese për rajonin dhe botën në përgjithësi. Sánchez shtoi se nuk mund të parashikonte pasojat e mundshme të rënies së regjimit iranian, por shprehu dyshime se një zhvillim i tillë do të përmirësonte rendin ndërkombëtar ose kushtet e jetesës për popujt.
“Çfarë po shohim aktualisht është më shumë pasiguri ekonomike dhe rritje të çmimeve të naftës dhe gazit. Kjo është arsyeja pse ne jemi kundër kësaj katastrofe, sepse qeveritë ekzistojnë për të përmirësuar jetën e njerëzve, jo për ta përkeqësuar atë”, përfundoi Sánchez.
