Një raportim i bujshëm nga “Wall Street Journal” ka hedhur dritë mbi një zhvillim të mundshëm të madh: Donald Trump dhe Xi Jinping mund të jenë duke punuar për një marrëveshje që përfshin çështjen e Tajvanit. Sipas burimeve, pas një viti përgatitjesh, presidenti kinez synon të shtyjë administratën amerikane drejt një qëndrimi të ri e shumë më të qartë kundër pavarësisë së ishullit. Nga ana e tij, Trump është treguar i interesuar për një marrëveshje ekonomike me Pekinin, gjë që Xi po përpiqet ta kapitalizojë duke kërkuar një deklarim zyrtar të Uashingtonit kundër sovranitetit të Tajvanit.
Polemikat
Administrata e mëparshme e Joe Biden kishte mbajtur qëndrimin se SHBA “nuk e mbështet” pavarësinë e Tajvanit, por pa u larguar nga politika tradicionale e paqartësisë strategjike. Kjo linjë i siguronte Pekinit njëfarë garancie, por nuk përmbushte objektivin e Xi Jinping, i cili e konsideron “ribashkimin” e Tajvanit me Kinën si pjesë thelbësore të vizionit të tij për rilindjen kombëtare. Në mandatin e tij të tretë, Xi ka përsëritur se ky proces është i pashmangshëm dhe nuk mund të pengohet nga faktorë të jashtëm, duke iu referuar në mënyrë të drejtpërdrejtë mbështetjes amerikane për Taipein.
Pavarësia e Tajvanit
Për udhëheqjen kineze, diferenca mes një deklarate për “mosmbështetje” dhe një deklarate për “kundërshtim” të pavarësisë së Tajvanit është thelbësore. Një pozicion i tillë i SHBA-së do të shënonte një ndryshim të rrënjësor në politikën amerikane – nga neutraliteti i kujdesshëm drejt përputhjes së hapur me Pekinin. Burime amerikane dyshojnë se Xi do të shfrytëzojë çdo hapësirë që ofrohet nga një marrëveshje tregtare me Trump për të ushtruar presion mbi të në këtë drejtim.
Marrëveshja e mundshme
Sipas WSJ, Xi po e lidh kërkesën e tij me zhvillime të tjera, si marrëveshja për TikTok dhe samiti i ardhshëm i Azi-Paqësorit në Korenë e Jugut. Objektivi i tij është që SHBA të deklarojë zyrtarisht kundërshtimin ndaj pavarësisë së Tajvanit, si parakusht për një marrëveshje ekonomike dypalëshe. Megjithëse Departamenti i Shtetit përsërit se SHBA kundërshton çdo ndryshim të njëanshëm të status quo-së, Pekini beson se me Trump ekziston hapësirë për të ndryshuar qëndrimin amerikan.
Qëndrimi i Trump
Ndryshe nga Biden, Trump ka shmangur deklarimet e drejtpërdrejta mbi një ndërhyrje ushtarake amerikane në rast se Kina do të pushtonte Tajvanin. Kohët e fundit, administrata e tij ka vonuar dërgesat e ndihmave ushtarake dhe ka refuzuar një ndalesë tranziti për presidentin tajvanez William Lai në SHBA, duke e detyruar këtë të fundit të anulonte një vizitë në Amerikën Latine. Këto veprime kanë ngritur dyshime si në Uashington, ashtu edhe në Taipei, për prioritetet e Trump – duke lënë të hapur pyetjen nëse një marrëveshje tregtare me Pekinin po vendoset mbi mbështetjen e fortë për Tajvanin.