Një i ri 24-vjeçar hapi zjarr gjatë premierës së filmit “Batman”, në qytetin e Denverit
Dymbëdhjetë të vdekur dhe 50 të plagosur është bilanci i masakrës në një kinema në Denver, SHBA. Autori, një 24-vjeçar i identifikuar me emrin James Holmes, hapi zjarr ndaj njerëzve të mbledhur për të parë premierën e filmit “Batman Dark Knight”, në një kinema në Aurora, një lagje në periferi të Denverit. Sipas policisë, 50 persona të tjerë u plagosën, ndërsa mes viktimave janë regjistruar edhe fëmijë. Dhjetë persona mbetën të vrarë në vendin e ngjarjes, ndërsa dy të tjerë ndërruan jetë më vonë në spital, për shkak të plagëve. Autori i masakrës është arrestuar menjëherë nga policia, ndërsa Shtëpia e Bardhë ka përjashtuar çdo lidhje mes kësaj ngjarjeje dhe terrorizmit. Dëshmitarët thanë se një person që mbante veshur një maskë gazi hapi zjarr në drejtim të tyre pa asnjë paralajmërim dhe hodhi disa objekte që ngjanin me bomba.
Vrasësi 24-vjeçar u fut në kinema rreth 20 minuta pasi kishte filluar filmi, diku rreth orës 12.30 pas mesnate. Mbante veshur një xhuboks antiplumb, në kokë kishte vënë kaskë, syze të zeza, maskë antigaz dhe ishte i pajisur me dy pistoleta e një pushkë. Sipas disa dëshmitarëve, vrasësi i kishte fshehur armët para se të fillonte filmi në plate. “Dëshmitarët na thanë se ai hapi një lloj kutie. Ata dëgjuan disa vërshëllima, panë gazin që doli dhe autori hapi zjarr. Të shtënat zgjatën për disa minuta”, deklaroi shefi i policisë lokale, Dan Oates.
Ndërkohë, një dëshmitar ka thënë për kanalin “9News” se gjatë një skene të shtënash të filmit, ai dëgjoi të shtëna të fuqishme dhe pa të dilte tym, duke menduar se ishin efekte speciale “live”.
Ndërsa një tjetër person, i cituar nga CNN, ka deklaruar: “Një tip ngjiti me ngadalë shkallët duke hapur zjarr ndaj njerëzve që i dilnin përpara”. Të plagosurit janë dërguar në një spital të afërt, Qendra Mjekësore Suedeze, drejtuesit e së cilës kanë konfirmuar se shumica e tyre kanë plagë plumbash.
Nëna e vrasësit, sipas asaj që raporton ABC, ka thënë për policinë “se keni kapur personin e duhur”. Nga hetimet e para mësohet se i riu ka hapur zjarr, pasi më parë ka hedhur bombë tymuese dhe gaz lotsjellës. Autori nuk bëri asnjë rezistencë dhe u arrestua në parkimin e qendrës tregtare ku gjendet kinemaja. Në ato momente ishte duke tentuar arratisjen. Dëshmitarë të shumtë kanë arritur të shihnin nga afër ngjarjen. Për një moment u mendua se burri nuk kishte vepruar i vetëm, por me një tjetër bashkëpunëtor, ndërsa policia e Denverit tha se deri tani nuk ka asnjë provë që e vërteton këtë. Gjatë marrjes në pyetje autori i masakrës së kinemasë ka treguar për autoritetet se mbante në apartamentin e tij një sasi të madhe eksplozivi. Për arsye sigurie policia evakuoi të gjithë pallatin ku banonte 24-vjeçari. Ndërsa Presidenti amerikan u rikthye me shpejtësi në Uashington pas masakrës së Denverit. Kreu i Shtëpisë Bardhë anuloi takimet për fushatën elektorale të parashikuara në Florida. “Jam i shokuar nga kjo ngjarje. Do të bëjmë ç’është e mundur për të çuar para drejtësisë autorin e kësaj ngjarjeje tragjike. Duam me çdo kusht që jeta e popullit tonë të jetë e sigurt. Ashtu sikurse bëjmë kur përballemi me momente të errëta dhe sfida, tani ne duhet të bashkohemi si një familje amerikane e vetme”, ka shtuar Presidenti i Shteteve të Bashkuara. FBI-ja, nga ana tjetër, po vlerëson të ngrejë nivelin e alarmit për sigurinë kombëtare. Gjithsesi është përjashtuar çdo lidhje me terrorizmin. Trembëdhjetë vjet më parë, jo shumë larg nga kinemaja ku u zhvillua ngjarja e djeshme, ndodhi një tjetër masakër e këtij lloji: dy të rinj hapën zjarr kundër studentëve në një kolegj, duke vrarë 13 persona.
Masakra – Dymbëdhjetë të vdekur dhe 50 të plagosur është bilanci i masakrës në një kinema në Denver, SHBA. Autori, një 24-vjeçar i identifikuar me emrin James Holmes, hapi zjarr ndaj njerëzve të mbledhur për të parë premierën e filmit “Batman Dark Knight
Vrasësi – Vrasësi 24-vjeçar u fut në kinema rreth 20 minuta pasi kishte filluar filmi, diku rreth orës 12.30 pas mesnate. Mbante veshur një xhuboks antiplumb, në kokë kishte vënë kaskë, syze të zeza, maskë antigaz dhe ishte i pajisur me dy pistoleta e një pushkë
Profili i vrasësit
James Holmes është një i ri që ende nuk i ka mbushur të 25-at. Ai ishte duke kryer doktoraturën deri në qershor, por më pas është tërhequr duke braktisur studimet. Vrasësi nuk ka profil në “Facebook”, ndërsa një tjetër 22-vjeçar me të njëjtin emër dhe mbiemër në rrjetin social është ngatërruar me të. Fqinjët e përshkruajnë si një tip vetmitar që nuk përshëndeste njeri dhe shikonte vetëm punë e tij. Jetonte i vetëm në një apartament të vogël në Aurora. Para se të dilte i armatosur, me dy pistoleta dhe një pushkë, mbrëmjen që kreu masakrën kishte lënë magnetofonin ndezur me të njëjtën këngë që përsëritej vazhdimisht. Ndërsa apartamenti i tij ishte i mbushur me një sasi të madhe eksplozivi.
Precedentët
SHBA dhe masakrat që përsëriten
Sulme të tilla, me numër të madh të vdekurish, regjistrohen vazhdimisht në vend
Kjo e djeshmja ishte e fundit në radhën e masakrave që tronditin SHBA-në thuajse çdo vit. Që prej vitit 1999, në vit regjistrohen dy ose më shumë episode të tilla vrasjesh në vende publike. Ja disa prej tyre që kanë bërë bujë.
“Columbine High School”, prill 1999
Dy nxënës adoleshentë qëlluan për vdekje 12 shokë shkolle dhe një mësuese në një shkollë në Littleton, Kolorado, para se të vrisnin veten. Më vonë u zbulua pëlqimi i tyre për idetë neonaziste.
Virgina Tech, prill 2007
Studenti korean Seung-Hui Cho, vrau 32 vetë dhe plagosi 15 të tjerë në kampusin Virginia Tech në Blacksburg, Virxhinia.
Më pas vrau veten.
“Northern Illinois University”, shkurt 2008
Pesë studentë u vranë dhe 16 të tjerë u plagosën kur një i armatosur hapi zjarr në një sallë leksionesh në Northern Illinois University në Illinois. Në fund autori u dorëzua.
Fort Hood, nëntor 2009
Majori Nidal Hasan, një ushtarak me profesion psikolog në ushtrinë amerikane, hapi zjarr në një bazë ushtarake në
Fort Hood, Teksas. 13 vetë humbën jetën, ndërsa 42 të tjerë u plagosën.
“Civic center”, prill 2009
13 vetë mbetën të vrarë kur një burrë i armatosur nisi të hapte zjarr pa asnjë arsye në Binghamton, Nju Jork.
Gabrielle Giffords, janar 2011
Gjashtë veta, përfshi edhe një vajzë 9-vjeçare, mbetën të vrarë ndërsa 12 të tjerë të plagosur, kur një burrë i armatosur hapi zjarr në një miting përpara një supermarketi në Tuscon, Arizona.
Kongresmenja Gabrielle Giffords, që ishte në skenën e ngjarjes, mbeti e plagosur rëndë me një plumb në kokë.
“Oykos University”, prill 2012
Një ish-student futet në një klasë të “Oykos University”, një universitet i vogël kristian në Oakland, duke qëlluar mbi ish-kolegët e tij. Në fund bilanci ishte gjashtë të vdekur dhe tre të plagosur
Ngjarjet
Kjo e djeshmja ishte e fundit në radhën e masakrave që tronditin SHBA-në thuajse çdo vit. Që prej vitit 1999, në vit regjistrohen dy ose më shumë episode të tilla vrasjesh në vende publike