Konflikti


Kinezët sulmojnë makinat dhe bizneset japoneze


Qeveria japoneze i bëri thirrje Pekinit të ndalë popullatën që po organizon protesta të dhunshme kundër interesave japoneze në këtë vend, pas një vale nacionalizmi të shkaktuar nga debati mes dy vendeve për territorialitetin mbi pesë ishuj të pabanuar. Kryeministri japonez, Yoshihiko Noda, ia drejtoi thirrjen personalisht qeverisë së Kinës. Protestat kundër Japonisë janë përhapur tashmë në shumë qytete kineze, ku qytetarë japonezë dhe bizneset e tyre janë sulmuar. Policia kineze shpërndau me dhunë një turmë protestuesish pranë ambasadës japoneze në Pekin. Në disa qytete pati raste të dëmtimit të makinave të markave të njohura japoneze.


Japonia e pushtoi një pjesë të Kinës më 1933 dhe deri në fund të Luftës së Dytë Botërore vijoi një luftë e ashpër që shkaktoi miliona viktima. Kjo ka sjellë zemërim të madh të kinezëve kundër japonezëve, zemërim që shpërthen në të gjitha rastet kur mes dy vendeve krijohet tension diplomatik.


Kina dhe Japonia kanë acaruar njëra-tjetrën mbi pretendimet e shprehura mbi 5 ishuj të pabanuar, por që gjenden në një zonë detare të pasur me burime natyrore. Japonia vendosi t’i blejë ishujt dhe t’i vendosë nën pronësi publike, ndërsa më parë qenë pronë private e një qytetari japonez. Kina dërgoi anije patrulluese për të treguar dhëmbët.


 


Diplomacia


Sekretari i Mbrojtjes viziton kryeqytetet e rajonit në përpjekje për të ftohur gjakrat


Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së paralajmëroi dje se debati në Azinë Lindore mbi pretendime të ndryshme territoriale mund të kthehet në një konflikt më të gjerë, në rast se provokimet nuk kufizohen.


“Një gjykim i gabuar në njërin krah apo në tjetrin mund të sjellë dhunë dhe dhuna mund të sjellë konflikt”, tha Leon Panetta në fillim të një turi diplomatik në Azi. Komentet e tij erdhën pas përplasjeve në rritje mes Kinës dhe Japonisë, për disa ishuj të vegjël.


Kina pretendon ishujt, të cilat aktualisht administrohen nga Japonia dhe ka dërguar luftanijet e saj në zonë, duke treguar dhëmbët ndaj Japonisë, e cila nuk iu përgjigj me zjarr “shkeljes së ujërave territoriale të saj”. Ndërkohë në Kinë bizneset japoneze dhe mallrat e prodhuara në Japoni janë sulmuar apo shkatërruar. Protestat antijaponeze kanë ndodhur edhe në të shkuarën në Kinë, por këto të fundit konsiderohen nga vëzhguesit si veçanërisht të ashpra.


Duke folur në Tokio, Leon Panetta tha: “Jam i shqetësuar se kur këto vende hyjnë në provokime të ndryshme mbi ishuj të ndryshëm, kjo rrit mundësinë e një gjykimi të gabuar në ndonjë nga palët, gjë që sjell dhunë dhe konflikt. Dhe një konflikt i tillë ka potencialin të përhapet”.


Shefi i Mbrojtjes të SHBA-së këmbënguli që vizita e tij në këtë rajon synon t’u bëjë thirrje palëve për vetëpërmbajtje. Ai shtoi se Uashingtoni nuk do të mbështesë asnjë palë në këtë mosmarrëveshje.


Si Kina, ashtu edhe Japonia, janë nën presion nga forcat nacionaliste brenda vendit të tyre për t’i treguar dhëmbët kundërshtarit. Japonia acaroi marrëdhëniet me Kinën kur vendosi t’i blejë ishujt në diskutim, vetëm sepse kryebashkiaku nacionalist i Tokios pati kërcënuar se jo vetëm do t’i blinte ishujt, por do të dërgonte edhe banorë atje.


Kina, nga ana e saj, është përpjekur të përmbajë zemërimin e nacionalistëve në vendin e vet, duke ndaluar median shtetërore nga mbulimi i protestave antijaponeze dhe duke kontrolluar debatin në internet mbi këtë temë. Udhëheqësit komunistë duken të shqetësuar nga fakti se nga njëra anë parapëlqejnë të mbajnë gjallë zemërimin antijaponez dhe nacionalist në vend, por nga ana tjetër i druhen faktit se sa shpejt ky zemërim mund të dalë nga kontrolli.


Disa peshkarexha kineze ndërkohë kanë vendosur të kthehen te ujërat e diskutuar, ndërsa në Japoni, qeveria do të përballet me zgjedhje dhe nuk ka dëshirë të tregojë shenja dobësie përballë elektoratit. Në median japoneze raportohet se të dyja palët janë të gatshme të hyjnë në ndonjë përplasje detare të kufizuar.