Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, ka urdhëruar diplomatët amerikanë që të përmbahen nga komentet lidhur me drejtësinë dhe integritetin e zgjedhjeve të zhvilluara në vendet e huaja. Ky ndryshim i qasjes tradicionale të Uashingtonit, i cili më herët ka promovuar hapur zgjedhje të lira dhe të ndershme, është bërë i ditur në një kabllogram të brendshëm të siguruar nga agjencia Reuters.
Sipas këtij dokumenti të shënuar si “i ndjeshëm”, por jo i klasifikuar, diplomatëve u kërkohet që kur të jetë e nevojshme të reagojnë për zgjedhjet jashtë vendit, të kufizohen vetëm në urimin për fituesin dhe të theksojnë interesat e përbashkëta në politikën e jashtme. Udhëzimi e ndalon shprehimisht çdo koment mbi procesin zgjedhor, legjitimitetin e tij apo vlerat demokratike të vendit ku mbahen zgjedhjet.
Ky qëndrim vjen pas një fjalimi të Presidentit Donald Trump më 13 maj në Riad, ku kritikoi ashpër “ndërhyrjen perëndimore” në punët e brendshme të vendeve të Lindjes së Mesme, duke deklaruar se kjo nuk është më përgjegjësi e Uashingtonit.
I pyetur nga Reuters, një zëdhënës i Departamentit të Shtetit konfirmoi përmes email-it se kjo qasje pasqyron prioritetin e administratës për të respektuar sovranitetin kombëtar të shteteve të tjera.
