Kina, Rusia dhe Irani kanë nisur këtë të shtunë një stërvitje të përbashkët detare në ujërat e Afrikës së Jugut, e përshkruar nga autoritetet vendase si një operacion “BRICS Plus”, me qëllim garantimin e sigurisë së lundrimit dhe aktiviteteve ekonomike detare.

BRICS Plus është zgjerimi i bllokut fillestar BRICS, i përbërë nga Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut, i cili shihet nga anëtarët si një kundërpeshë ndaj dominimit ekonomik të SHBA-së dhe Perëndimit. Grupit të zgjeruar i janë bashkuar edhe Egjipti, Indonezia, Arabia Saudite, Etiopia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Stërvitjet zhvillohen në një kohë tensionesh të shtuara mes administratës së presidentit amerikan Donald Trump dhe disa vendeve të BRICS Plus, përfshirë Kinën, Iranin, Afrikën e Jugut dhe Brazilin. Zyrtarë ushtarakë kinezë kanë bërë të ditur se Brazili, Egjipti dhe Etiopia marrin pjesë si vëzhgues.

Ushtria e Afrikës së Jugut njoftoi se stërvitja “Vullneti për Paqe 2026” synon operacione të përbashkëta për sigurinë detare dhe rritjen e bashkëveprimit mes flotave pjesëmarrëse. Sipas autoriteteve, të gjithë anëtarët e BRICS Plus janë ftuar të marrin pjesë.

Ndërkohë, partia pro-perëndimore Aleanca Demokratike, forca e dytë më e madhe në koalicionin qeverisës të presidentit Cyril Ramaphosa, e ka kritikuar stërvitjen, duke thënë se ajo bie ndesh me neutralitetin e Afrikës së Jugut. Kjo kritikë u hodh poshtë nga zëdhënësja e operacioneve të përbashkëta, e cila theksoi se stërvitja nuk ka karakter politik dhe se Afrika e Jugut ka zhvilluar më herët edhe stërvitje me Marinën e SHBA-së.