Sipas një raporti të publikuar nga New York Times, Presidenti amerikan Donald Trump ka autorizuar CIA-n të kryejë operacione të fshehta brenda Venezuelës, në një kohë kur marrëdhëniet mes dy vendeve vijojnë të përshkallëzohen.

Lajmi vjen pasi SHBA-të kanë dislokuar aeroplanmbajtësen më të madhe të vendit, USS Gerald Ford, në rajonin e Karaibeve. Duke cituar burime të shumta të njohura me çështjen, gazeta shkruan se këto operacione mund të hapin rrugën për një fushatë potencialisht më të gjerë ushtarake ndaj Venezuelës. Sipas të njëjtave burime, negociatat sekrete mes administratës Trump dhe qeverisë së Nicolas Maduros deri tani kanë dështuar.

Raporti thekson se Maduro është shprehur i gatshëm të japë dorëheqjen pas një periudhe tranzicioni prej dy deri në tre vjetësh, por oferta është refuzuar nga Shtëpia e Bardhë. Ai është treguar gjithashtu i hapur t’u ofrojë kompanive amerikane të energjisë akses në pasuritë e naftës së Venezuelës. Megjithatë, Trump ka ashpërsuar retorikën ndaj presidentit venezuelian, duke e cilësuar “terrorist” dhe duke mos përjashtuar vendosjen e trupave amerikane në territorin venezuelian. “Nuk po përjashtoj asgjë,” tha ai të hënën. Më tej, ai akuzoi qeverinë e Karakasit për dërgimin e “qindra mijëra” personave nga burgjet venezueliane drejt SHBA-ve.

Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara kanë kryer një seri operacionesh kundër anijeve të dyshuara për trafik droge në ujërat e Amerikës Qendrore dhe Jugore që prej shtatorit, me të paktën 21 sulme vdekjeprurëse, më i fundit të dielën. Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, njoftoi të dielën se rrjeti i dyshuar kriminal i lidhur me regjimin venezuelian, i njohur si “Cartel de los Soles”, pritet të shpallet organizatë e huaj terroriste. I pyetur nëse ishte i gatshëm të fliste drejtpërdrejt me Maduros, Trump u përgjigj: “Po, ndoshta do të flisja me të. Flas me të gjithë.”

Administrata e tij ka mbrojtur operacionet dhe sulmet e fundit, duke deklaruar se SHBA-të po përballen me një “konflikt të armatosur” me kartelet e drogës, të cilat sipas saj, kanë evoluar në grupe të rrezikshme terroriste ndërkombëtare.