Në një periudhë kur marrëdhëniet transatlantike po kalojnë në një fazë të re rishikimi strategjik dhe SHBA po kërkon më shumë angazhim nga aleatët për sigurinë kolektive, Shqipëria rezulton ndër vendet që jo vetëm përmbushin, por edhe tejkalojnë standardet e NATO-s për mbrojtjen.
Mesazhi i Uashingtonit ndaj vendeve aleate është i qartë: në arkitekturën e re të sigurisë, pesha e kontributit konkret do të jetë vendimtare në marrëdhëniet me partnerët strategjikë.
Një tabelë e publikuar gjatë intervistës së ambasadorit amerikan në NATO, Matthew Whitaker, për Fox News, ka nxjerrë në pah nivelin e shpenzimeve ushtarake të vendeve anëtare të aleancës për periudhën 2014–2025.
Sipas të dhënave të publikuara, Shqipëria figuron me 570.3 milionë dollarë shpenzime për mbrojtjen, duke u renditur mes vendeve që kontribuojnë në barrën e përbashkët të sigurisë.
Gjatë intervistës, Whitaker theksoi rëndësinë e angazhimit operacional dhe strategjik të aleatëve të NATO-s.
“Mendoj se shumica e aleatëve tanë, në fakt të gjithë aleatët tanë në NATO, po na japin bazat, aksesin dhe mbështetjen ajrore që na nevojitet”, deklaroi ambasadori amerikan.
Deklarata vjen në një moment kur administrata amerikane po zhvillon një rishikim të gjerë të pranisë ushtarake në Evropë, duke analizuar jo vetëm vendosjen e trupave dhe bazave, por edhe nivelin e bashkëpunimit me vendet aleate.
Megjithatë, për NATO-n tregues kyç mbetet raporti i shpenzimeve të mbrojtjes me Prodhimin e Brendshëm Bruto. Standardi minimal i aleancës është 2% e PBB-së, objektiv që Shqipëria jo vetëm e arrin, por e tejkalon.
Sipas Aktit Normativ të Buxhetit 2026, të miratuar së fundmi, shpenzimet totale për mbrojtjen arrijnë në 2.6% të PBB-së, ndërsa shpenzimet bazë të mbrojtjes (“core defence”) llogariten në 2.2%, mbi pragun minimal të kërkuar nga NATO.
Dokumenti parashikon gjithashtu forcim të mëtejshëm të kapaciteteve mbrojtëse përmes shtimit të 300 efektivëve të rinj ushtarakë, si dhe një rritjeje prej 10.3 miliardë lekësh për investime dhe operacione.
Përfshirja e Shqipërisë në tabelën e publikuar gjatë intervistës së ambasadorit amerikan, si dhe tejkalimi i standardit minimal të NATO-s sipas dokumenteve zyrtare, shihet si një tregues i rolit gjithnjë e më aktiv të vendit në strukturën e sigurisë euroatlantike dhe i pozicionimit të saj si një aleat i besueshëm në aleancë.
