Administrata amerikane po përgatitet të intensifikojë presionin ekonomik ndaj Iranit, me masa të reja ndëshkuese që mund të shpallen në mënyrë të vazhdueshme gjatë javëve të ardhshme.
Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, deklaroi se Uashingtoni do të marrë në shënjestër kompani dhe institucione që vijojnë të mbajnë marrëdhënie financiare me Iranin. “Do të shihni shumë më tepër nga kjo çdo javë”, u shpreh ai në një intervistë për Reuters, përpara takimit të ministrave të Financave të G20.
Deklaratat vijnë pas sanksioneve të vendosura së fundmi ndaj degëve të Banque Misr në Emiratet e Bashkuara Arabe, të cilat SHBA i akuzon për përfshirje në marrëdhënie financiare me Iranin.
Bessent paralajmëroi se masat mund të jenë veçanërisht të ashpra, deri në përjashtimin e institucioneve të caktuara nga sistemi financiar i lidhur me dollarin amerikan.
Sipas tij, Uashingtoni do t’u bëjë thirrje ministrave të Financave dhe bankierëve qendrorë të vendeve të G20 të shkëpusin lidhjet ekonomike me Teheranin. Institucionet që nuk do ta bëjnë këtë mund të përballen me sanksione dytësore.
“Jeni ose me ne, ose me iranianët”, deklaroi Bessent, duke nënvizuar qasjen e ashpër të administratës amerikane.
Objektivi i SHBA-së, sipas sekretarit të Thesarit, është të kufizojë mundësinë që sistemi financiar ndërkombëtar të përdoret për të siguruar të ardhura për regjimin iranian.
Bessent kundërshtoi gjithashtu pretendimet se strategjia amerikane nuk mund të jetë efektive pa vendosur sanksione ndaj kompanive kineze që blejnë naftë nga Irani. Ai tha se një pjesë e madhe e tregtisë së naftës iraniane me Kinën është goditur tashmë nga masat amerikane ndaj porteve të Iranit.
Sekretari i Thesarit shtoi se edhe rezervat e naftës iraniane të mbajtura në cisterna po pakësohen. “Problemi është zgjidhur”, tha ai, duke pretenduar se presioni ekonomik amerikan po jep rezultat.
Paralajmërimi për një seri të re sanksionesh tregon se Uashingtoni synon të shtojë presionin mbi ekonominë iraniane, por edhe mbi bankat dhe kompanitë ndërkombëtare që vijojnë të kenë marrëdhënie financiare me Teheranin.
