Një stuhi dimërore e përmasave të paprecedenta ka përfshirë Shtetet e Bashkuara, duke goditur pothuajse dy të tretat e territorit dhe duke shkaktuar alarm në nivel federal dhe shtetëror.
Në zonat veriore, temperaturat kanë zbritur deri në –46 gradë Celsius, ndërsa metropole si Çikago, Nju Jork dhe Minneapolis po përballen me të ftohtë ekstrem dhe erëra të forta, të cilat sipas meteorologëve përbëjnë rrezik serioz për jetën. Ekspertët paralajmërojnë se ekspozimi i zgjatur në këto kushte mund të shkaktojë ngrirje të trupit brenda pak minutash.
Gjendja e jashtëzakonshme është shpallur në të paktën 12 shtete, mes tyre Teksasi, Arkansasi, Karolina e Veriut dhe Karolina e Jugut, ndërsa Garda Kombëtare është vënë në gatishmëri për të përballuar emergjencat dhe për të ndihmuar qytetarët.
Reshjet intensive të borës dhe shiu i ngrirë kanë shkaktuar ndërprerje të mëdha të energjisë elektrike. Qindra mijëra familje kanë mbetur pa drita dhe ngrohje, veçanërisht në Teksas dhe Oklahoma, ku linjat elektrike dhe pemët janë rrëzuar nga pesha e akullit.
Stuhia ka paralizuar edhe transportin ajror, me mbi 10 mijë fluturime të anuluara në mbarë vendin. Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të shmangin udhëtimet e panevojshme dhe të qëndrojnë në ambiente të sigurta.
Ndërkohë, në shumë qytete është vërejtur panik në furnizime, me raftet e dyqaneve që po zbrazën shpejt, ndërsa banorët po grumbullojnë ushqime, ujë dhe ilaçe, nga frika se kushtet ekstreme do të zgjasin edhe për disa ditë.
Sipas Shërbimit Kombëtar të Motit, deri në 220 milionë njerëz mund të preken drejtpërdrejt nga kjo valë e fuqishme të ftohti, e cilësuar si një nga stuhitë dimërore më të rrezikshme të viteve të fundit në SHBA.
