Tensionet në Gjirin Persik mbeten të larta, ndërsa Pete Hegseth ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara nuk synojnë përshkallëzim të konfliktit me Iranin, por paralajmërojnë për një reagim të fortë në rast sulmesh ndaj anijeve tregtare.
Në një deklaratë për mediat, shefi i Pentagonit theksoi se, ndonëse armëpushimi është ende në fuqi, çdo kërcënim ndaj lundrimit në Ngushticën e Hormuzit do të përballet me “fuqi shkatërruese” nga ana e SHBA-së. Ai nënvizoi se bllokimi i kësaj rruge të rëndësishme ndërkombëtare nuk është i pranueshëm.
Në të njëjtën linjë, gjenerali Dan Caine deklaroi se forcat amerikane janë të gatshme të rifillojnë operacione të mëdha ushtarake në çdo moment, nëse do të marrin urdhër. Megjithatë, ai e përshkroi situatën aktuale si të kufizuar në incidente sporadike dhe jo një luftë të plotë.
Konflikti, që nisi më 28 shkurt mes SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit, çoi në mbylljen e Ngushticës së Hormuzit nga Teherani, duke rrezikuar furnizimet globale me naftë dhe gaz. Si kundërpërgjigje, SHBA ndërmorën masa për kontrollin e qarkullimit detar dhe vendosën presion mbi portet iraniane.
Presidenti Donald Trump ka vendosur të zgjasë pa afat armëpushimin fillestar dyjavor, ndërsa përpjekjet për stabilizim vijojnë mes rrezikut të një përshkallëzimi të ri.
Ndërkohë, zyrtarë iranianë kanë paralajmëruar Uashingtonin kundër çdo veprimi të mëtejshëm në Ngushticë, duke theksuar se vendi nuk do të heqë dorë nga kontrolli i kësaj zone strategjike. Kryetari i parlamentit iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf, deklaroi se prania amerikane në rajon rrezikon sigurinë detare dhe se ndikimi i saj do të zbehet.
Sipas ushtrisë amerikane, gjatë ditëve të fundit janë zmbrapsur disa sulme me raketa dhe dronë, ndërsa janë goditur mjete detare iraniane që paraqisnin kërcënim për anijet tregtare. Nga ana tjetër, Teherani ka mohuar humbjet ushtarake dhe ka akuzuar SHBA-në për viktima civile.
Situata në rajon mbetet e tensionuar, me rrezikun e një përplasjeje më të gjerë që ende nuk është përjashtuar.
