Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë masa të reja ndëshkuese ndaj Kubës, duke vendosur sanksione ndaj tetë subjekteve, dy individëve dhe pesë cisternave të naftës që dyshohet se kanë lidhje me ishullin.

Sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, masat e reja synojnë burimet financiare të ushtrisë kubane, rrjetet e furnizimit me energji, zyrtarët e lartë qeveritarë, si dhe kompani kineze të mbrojtjes që furnizojnë me pajisje forcat e armatosura të Kubës.

Ndërkohë, Zyra e Kontrollit të Aseteve të Huaja pranë Departamentit të Thesarit ka zgjeruar edhe mundësinë e vendosjes së sanksioneve dytësore ndaj personave dhe kompanive të huaja që operojnë në sektorët e prodhimit, teknologjisë, elektronikës dhe transportit detar në Kubë.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se udhëheqja kubane po përqendron burimet energjetike, detare dhe teknologjike të vendit për përfitime personale, ndërsa popullsia përballet me ndërprerje të vazhdueshme të energjisë elektrike, mungesa dhe vështirësi ekonomike.

Rubio theksoi gjithashtu se SHBA-të nuk do të lejojnë që Kuba të përdoret si bazë nga aktorë të huaj që mund të përbëjnë kërcënim për sigurinë amerikane.

Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm kuban, Bruno Rodriguez, reagoi përmes një postimi në platformën X, duke dënuar ashpërsimin e masave amerikane.

Ai pretendoi se gjatë 10 muajve të fundit, populli kuban është përballur me një intensifikim të paprecedentë të bllokadës ekonomike, një rrethim energjetik të krahasueshëm me bllokadën detare dhe zbatimin e sanksioneve dytësore nga Uashingtoni.