Të paktën tre nxënës kanë humbur jetën, dhjetëra të tjerë janë plagosur dhe rreth 65 persona dyshohet se ndodhen ende nën rrënoja, pas shembjes së një godine shkollore në provincën Java Lindore të Indonezisë.
Tragjedia ka ndodhur në shkollën islamike me konvikt Al Khoziny, në qytetin Sidoarjo, në momentin kur nxënësit ndodheshin në sallën e lutjeve. Godina u rrëzua papritur, duke i zënë poshtë shumë prej tyre.
Autoritetet raportojnë se ekipet e shpëtimit, të mbështetura nga policia dhe ushtria, kanë punuar pa ndërprerje gjatë natës. Deri tani janë nxjerrë tetë persona të gjallë, ndërsa të bllokuarve u është siguruar ujë dhe oksigjen edhe pas më shumë se 12 orësh nën rrënoja.
Zyrtarët lokalë paralajmërojnë se bilanci i viktimave mund të rritet, pasi janë konstatuar trupa të pajetë nën mbetjet e godinës. Ndërkohë, familjarë të nxënësve të prekur kanë qëndruar pranë spitalit dhe zonës së fatkeqësisë, në ankth për lajme mbi fatin e fëmijëve të tyre.
Hetimet për shkaqet e shembjes kanë nisur. Sipas zyrtarit të emergjencave, Abast, ndërtesa ishte një strukturë e vjetër dykatëshe, mbi të cilën po ndërtoheshin dy kate shtesë pa leje ndërtimi.
“Duket se themelet e ndërtesës së vjetër nuk mund të përballonin peshën e shtesave prej betoni, ndaj godina u shemb gjatë procesit të derdhjes”, ka deklaruar Abast.