Një incident i rëndë është regjistruar mëngjesin e së martës në rajonin e Arkhangelskut, në veri të Rusisë, ku shembja e një ure hekurudhore ka shkaktuar daljen nga shinat të disa vagonëve të një treni mallrash dhe ka paralizuar përkohësisht qarkullimin në këtë linjë.

Ngjarja ndodhi rreth orës 05:10, kur një pjesë e urës mbi lumin Vilen u shemb në segmentin mes Cheryomukha dhe Vilen. Guvernatori i rajonit, Alexander Tsybulsky, konfirmoi incidentin, ndërsa bëri të ditur se deri në atë moment nuk ishte raportuar për persona të lënduar.

Për shkak të dëmtimit të infrastrukturës, të paktën tetë trena pasagjerësh kanë pësuar vonesa. Në zonë janë angazhuar ekipe të specializuara dhe trena shpëtimi për të vlerësuar situatën dhe për të nisur ndërhyrjet e nevojshme.

Autoritetet po shqyrtojnë gjithashtu mundësinë e transportit alternativ për udhëtarët e prekur nga ndërprerja e shërbimit, përfshirë përdorimin e autobusëve.

Ndërkohë, ka nisur hetimi për të përcaktuar shkaqet e shembjes. Ende nuk ka një konkluzion zyrtar nëse dëmtimi lidhet me gjendjen e konstruksionit apo me faktorë të tjerë.