Celularët vazhdojnë të jenë dhurata më preferuar e festave të fundvitit për fëmijët, edhe pse gjithmonë po shtohen shqetësimet mbi ndikimin e tyre negativ. Në Gjermani, Ministri federal i Çështjeve Digjitale Karsten Wildberger kërkon kufizim moshe për mediat sociale.

“Më duket shumë tërheqëse si ide. Në këtë rast unë e konsideroj çështjen e kufizimit të moshës më shumë se të justifikuar. Pyetja tani është si t’u mundësojmë atyre një zhvillim të shëndetshëm, ashtu siç e patën brezat e mëparshëm pa mediat sociale. Se cila është mosha e përshtatshme duhet të diskutohet e peshohet mirë”,- tha ai.

Komisioni i përbërë nga studiues dhe punonjës nga fusha e mjekësisë, punonjësve sociale dhe kujdestarëve të të rinjve, nisi nga puna në vjeshtë dhe pritet t’i paraqesë rekomandimet e veta deri në verë. Këto rekomandime do të lidhen ndër të tjera me kufizime të mundshme për moshën për lejimin e mediave sociale dhe çështjen shumë të diskutuar të ndalimit të telefonave celularë në shkolla.

Edhe në këtë pikë, Ministri Widlberger është në favor të një qasje mjaft të rreptë.

“Të ulesh një ose dy orë për të mësuar me vëmendje dhe të mos shpërqendrohesh është parakusht themelor për zhvillimin e fëmijëve. Prandaj, mendoj se jo vetëm që është e arsyeshme, por ua kemi borxh edhe fëmijëve që ta kenë këtë mundësi. v E domosdoshme për fëmijët është edhe koha e lirë. Në debate të tilla është e rëndësishme të dëgjojmë ata që merren çdo ditë me këtë gjë, dhe ata janë mësuesit.”– tha Wildberger.

Që nga 10 dhjetori fëmijëve dhe adoleshentëve nën 16 vjeç në Australi u është ndaluar të kenë llogaritë e tyre në shumë platforma kryesore të mediave sociale. Qeveria australiane synon të mbrojë me këtë hap të rinjtë nga ngacmimet kibernetike, konsumi problematik dhe përmbajtjet e dëmshme.