Grupi rus i hakerëve “Fancy Bear”, ka arritur të komprometojë të dhënat në disa institucione ushtarake serbe, përfshirë Ministrinë e Mbrojtjes, Akademinë Ushtarake dhe Akademinë Mjekësore Ushtarake.
Lajmin e përcjell REL, e cila thekson se institucionet amerikane dhe ato britanike e lidhin “Fancy Bear” me shërbimin e inteligjencës ushtarake ruse GRU. Organizata ndërkombëtare për sigurinë kibernetike “Ctrl Alt Intel” njoftoi se ka mundur të të ketë qasje te dosjet e ruajtura në serverat e grupit rus.
Nga analiza e këtyre dosjeve, rezulton se hakerët kanë mbledhur të dhëna nga llogaritë e emailit të institucioneve serbe. Për katër llogari të Ministrisë së Mbrojtjes, ishte vendosur dërgimi automatik i emaileve në adresa të tjera, duke mundësuar monitorimin e komunikimit elektronik. Sulmi mund të ketë filluar që nga tetori i vitit 2024 dhe disa prej llogarive mund të jenë ende të komprometuara, sipas studiuesit Ben Folland. Fancy Bear është aktiv prej më shumë se 10 vjetësh.
Grupi i njohur edhe si “Forest Blizzard”, sulmon zakonisht qeveritë, organizatat joqeveritare, kompanitë teknologjike dhe universitetet. Qendra britanike për sigurinë kibernetike shprehet e bindur për lidhjet e tij me GRU-në ruse.
Metoda kryesore e sulmeve përfshin ‘spear phishing’, mesazhe të personalizuara që mashtrojnë viktimat të hapin file, të cilat i ofrojne hakerëve qasje në sistemet e brendshme. Serbia duket se është kthyer në objekt interesi të shërbimeve ruse në maj dhe qershor 2025, pas njoftimeve se Beogradi eksportonte municion në Ukrainë.
